24-11-2024

Galushi: Komuniteti rom në Kosovë të mos mbetet vetëm rezervë

Gazetari Denis Galushi ka thënë se komuniteti rom në Kosovë duhet të mos mbetet rezervë, por të shfrytëzojë hapësirën që ka në institucionet e Kosovës.

Në Express Intervistën në KTV ai ka thënë se romët duhet të veprojnë si kapital në Kosovë. Ai ka thënë se romët dinë të udhëheqin e të jenë të suksesshëm në shumë fusha.

Në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, Galushi ka thënë se ky komunitet në Kosovë është keqpërdorur nga vetvetja.

“Duhet shfrytëzuar më shumë hapësira e garantuar. Komunitetet në Kosovë është koha të gjithë të veprojnë si kapital, jo si rezervë. Me 1.5 milionë mund ta kthejmë Kosovën në Zvicrën e Ballkanit. Mos rrini në parlament por hajdeni të vizitoni vendet tona. Di kompani të ndryshme që udhëhiqen nga romët. Mund të jemi edhe liderë të shoqërisë, por artin e kemi shfrytëzuar më së shumti e kemi depërtuar”, ka thënë ai.

Sipas tij, komuniteti rom duhet të mendojë si kosovarë e të mos ngushtohet vetëm në hapësirat e veta.

Ai ka thënë se në Ditën Ndërkombëtare të Romëve fokusi nuk duhet të jetë në problemet e komunitetit.

Galushi po ashtu ka deklaruar se Kushtetuta ua siguron hapësirën romëve, por ka shumë pjesëtarë të këtij komuniteti që me meritë kanë siguruar vende nëpër institucione.

Megjithatë, sipas tij ky komunitet është i stigmatizuar.

“Kemi romë që me merita të tyre pos vendeve të rezervuara janë nëpër institucione. Është një problem se nëse Denisi e ka përfunduar gazetarinë e dëshiron të jetë gazetar, vjen e aplikon për punë pyetja e parë është ku e ke përfunduar shkollimin e kështu vazhdon. Por kur i thua që je rom, dallon e thuhet pse s’punon për komunitetin tënd. Kjo s’ka kuptim se unë jam kosovar. Hajde të punojmë për Kosovën si kosovarë”, ka thënë ai më tej.

Ai ka thënë se ka shumë zyrtarë të lartë të vendit që janë me origjinë rome, por që e mohojnë këtë.

Asnjë koment

Comments are closed.