25-07-2021

Gastronomët e quajnë papërgjegjësi të MSH-së moslejimin e ahengjeve

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës e ka quajtur papërgjegjësi të madhe vonesën e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë së Kosovës vendimin për mundësimin e organizimit të ahengjeve familjare.

Shoqata në Facebook ka shkruar se sipas dakordimit të të gjithë hisedarëve dhe bashkëpunëtorëve nga organizatat jo qeveritare dhe institucioneve publike, ka qenë data 15 Qershor kur është pritur për t’u marrë ky vendim.

“Tanimë jemi me datën 21 dhe kjo tregon për mospërgjegjësinë dhe pakujdesinë e institucioneve në raport me gjendjen e jashtëzakonshme ekonomike që po kalon vendi ynë. Duke theksuar edhe mospërmbushjen e zotimeve të të gjitha qeverive që janë marrë me menaxhimin e pandemisë në kuptim të mbështetjes financiare, ku çdoherë ka numër të konsiderueshëm të bizneseve që nuk përfitojnë nga to, përkundër faktit që kualifikohen për të përfituar nga pakot emergjente”, thuhet në njoftim.

Shoqata e Gastronomëve thotë se janë duke kërkuar sqarim dhe vendimmarrje efikase në këtë periudhë të ndjeshme për sektorin e gastronomisë, por sipas tyre, fatkeqësisht roli i institucioneve të vendit është jokonstruktiv në këtë drejtim.

“Çdo ditë është esenciale, dhe çdo vonesë është kritike për ne! Andaj, urgjentisht ju bëjmë thirrje që të mirret një vendim i tillë! Vendim që do ti hapë rrugët e shterrimit të diskutimeve sa i përket organizimit të festivaleve, funksionimit të klubeve të natës, pishinave, etj. ZGJOHUNI!! ERDHI VERA!!”, thuhet në njoftim.

Asnjë koment

Comments are closed.