Gastronomët paralajmërojnë protesta
Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka kërkuar nga qeveria që të heqë kufizimin aktual të orarit të punës, t’ua mundësojë funksionimin deri në ora 23:30, t’iu lejohet puna në ambientet e mbyllura dhe të ketë pako ekonomike ndihmëse. E në rast se kërkesat e tyre nuk plotësohen, gastronomët kanë paralajmëruar edhe protesta.
Përmes një postimi në faqen zyrtare, kjo shoqatë ka thënë se gjendja në gastronominë e vendit çdo ditë e më shumë po rëndohet.
Kush dhe ku po vendosë për arsimin në Prizren sipas Nismës dhe AAK-së?
“Çdo ditë kemi vdekje ekonomike dhe çdo ditë detyrohemi të kemi largime nga puna”, thuhet në reagimin e kësaj shoqate. Nuk është zgjidhje e vetme që shteti i Republikës së Kosovës ta rrisë buxhetin e tij duke dënuar bizneset dhe qytetarët, pasi që këta të fundit kanë gjithashtu kriza ekonomike, ne mendojmë që duhet përdorur metoda stimuluese dhe jo ndëshkuese sepse nuk është koha.
Nuk i keni subvencionuar asnjë nga bizneset që t’i dënoni, prandaj duhet marrë shembull shtetet evropiane të cilët deri në 80% i kanë dalë në ndihmë bizneseve. Gjithashtu shembull mund të merret edhe rajoni siç është Maqedonia e cila i ka subvencionuar pagat e punëtoreve për pesë (5) muaj më radhë”, thuhet në reagim.
Kjo shoqatë ka thënë se e sheh të panevojshëm kufizimin e lëvizjes deri në orën 22:30. Sipas saj, bizneseve duhet t’u lejohet funksionimi në hapësira të mbyllura, “shteti dhe institucionet e tij nuk ofrojnë asnjë ndihmë financiare apo ndonjë alternative tjetër përkrahëse ndaj bizneseve të Gastronomisë në Kosovë”.
Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka paralajmëruar se që nga nesër do të nis me mbledhjen e 10 mijë nënshkrimeve për ndryshimin e vendimeve.
Shoqata ka publikuar një listë kërkesash për institucionet vendore:
1. Thirrje të seancës në parlament për ta ndryshuar orarin
2. Të zgjatet orari i punës deri 23:30
3. Të lejohet puna në hapësira të mbyllura
4. Të përcaktohet një manual i saktë për respektimin e distancës dhe masave mbrojtëse në hapësirave të mbyllura
5. Të ndihmohen bizneset me pako ekonomike