Gjakovë: Pranon fajësinë, i akuzuari thotë se vrau vajzën aksidentalisht
I akuzuari për vrasjen e ish-gruas dhe vajzës së tij, Pjetër Ndrecaj e ka pranuar fajësinë në seancën e mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Gjakovë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ai ka thënë se vajzën e tij nëntë vjeçare e ka vrarë në mënyrë aksidentale, duke shtuar se i vjen keq për rastin që ka ndodhur.
Lidhur me pranimin e fajësisë ka pasur kundërshtime nga pala e dëmtuar, me ç’rast përfaqësuesi i saj, avokati Isa Osdautaj ka deklaruar se e kundërshton pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit.
Ai ka kërkuar që Ndrecaj të akuzohet edhe për veprën penale të rrezikimit të përgjithshëm ndaj familjes Marku.
Gjykatësi i rastit, Gëzim Pozhegu, e ka aprovuar pranimin e fajësisë.
Kurse, mbrojtësja e të akuzuarit Pjetër Ndrecaj, avokatja Fehmie Zhubi, ka deklaruar se lidhur me negocimin mbi marrëveshjen për pranimin e fajësisë nuk është ftuar nga Prokuroria që të negociojnë.
Ndërsa, prokurori i rastit Agron Matjani, ka thënë se arsye pse nuk është arritur marrëveshja në mes Prokurorisë dhe të akuzuarit ishte për shkaqe procedurale.
Shpallja e aktgjykimit është caktuar për 2 nëntor 2018, nga ora 09:00.
Në seancën e 24 tetorit, mbrojtësja e të akuzuarit Pjetër Ndrecaj, avokatja Fehmije Zhubi, i kishte propozuar gjykatësi Pozhegu, që seanca të shtyhet për një datë tjetër, me arsyetimin se pala e akuzuar kërkon që të hyjë në negocim për marrëveshje, lidhur me pranimin e fajësisë.
Por, “Betimi për Drejtësi”, më pas ka raportuar se negocimin e një marrëveshjeje të tillë e ka refuzuar kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Selimaj.
“Po është e vërtetë që unë nuk kam dhënë leje që të hyhet në negociata për arritjen e një marrëveshje për pranimin e fajësisë. I pandehuri në këtë rast është recidivist. Ai veprën penale e ka kryer një muaj pasi ka dalë nga paraburgimi. Nuk kemi çka të zbulojmë më tepër këtu”, kishte thënë kryeprokurori Selimaj.
Ndryshe, Prokuroria Themelore Gjakovë ka ngritur aktakuzë ndaj Pjetër Ndrecajt, për shkak të veprës penale “vrasje e rëndë” nga 179 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1, 1.3 dhe 1.11 të KPRK-së, dhe për veprën penale “mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve” nga neni 374 paragrafi 1 të KPRK-së.
Sipas aktakuzës, i akuzuari më 7 gusht 2018, në Gjakovë, në shtëpinë e familjes së viktimës, me dashje ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij V.N, dhe vajzën e tij K.N.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka shkuar në shtëpinë e vëllezërve të viktimës i armatosur, ku ka qëlluar më pushkën automatike në drejtim të shtëpisë, si dhe ka qëlluar me armë ish-bashkëshorten dhe vajzën e tij, të njëjtat nga plagët e marra kanë ndërruar jetë./BetimiperDrejtesi