Gjatë 2019, IPK realizoi 41 arrestime, suspendoi 70 zyrtarë policorë

Të mërkurën që lamë pas Inspektorati Policor i Kosovës realizoi një aksion-arrestimi në qendër të Prishtinës.

Në orët e vona të mbrëmjes Inspektorati arrestoi udhëheqësin e Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, një qytetar të dyshuar nga Kaçaniku dhe një zyrtar tjetër të PK-së.

 

Por padyshim se kjo nuk ishte hera e parë, por as e fundit që Inspektorati Policor arreston zyrtarët e PK-së, nën dyshimin për vepër penale keqpërdorim i detyrës zyrtare, marrje ryshfeti e armë mbajtje pa leje.

 

Gjatë vitit që lamë pas, pra në 2019 Inspektorati Policor ka realizuar 41 arrestime.

Përpos këtyre arrestimeve, me urdhër të IPK-së janë suspenduar gjithsej  70 zyrtarë policorë, raporton Indeksonline.

Njëashtu nga Inspektorati Policor i Kosovës pati edhe transfere, ku gjatë periudhës një vjeçare të 2019 u bën gjithsej tetë transfere.

Në një përgjigje të dhënë për Indeksonline, zëdhënësi i IPK-së Arbër Beka ka deklarua se IPK si rezultat i proceseve hetimore dhe angazhimeve kur janë plotësuar kushtet ligjore ka arrestuar persona me dyshimin e arsyeshëm se kanë kryer vepër penale duke vënë në zbatim dispozitat e përcaktuar anë Kodin e Procedurës Penale të Kosovës, si dhe ka rekomanduar masa administrative për suspendimin dhe transferimin e zyrtarëve policor duke vënë në zbatim dispozitat e parapara në ligjin për Inspektoratin Policor të Kosovës.

Tutje Beka theksoi se misioni i IPK-së vazhdon të jetë që përmes ushtrimit të veprimtarisë, të sigurojë shërbim policor të përgjegjshëm, demokratik dhe transparent, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet e kërkuara.

Përgjatë vitit që lamë pas, 2019 Inspektorati Policor i Kosovës ka hetuar raste të llojeve nga natyra të ndryshme.

Por pesë rastet që janë hetuar më së shpeshti nga IPK ishin këto:

-Mashtrim

-Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar

-Lëndim i lehtë trupor

-Rrezikim i trafikut publik

-Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

Policia e Kosovës për vite me radhë është zgjedhur institucioni më i besueshëm nga qytetarët e Kosovës, por pavarësisht kësaj brenda këtij institucioni ka individë të cilët shpesh herë kanë detyruar IPK-në që të ndërmarrë hapa të rëndësishëm për t’u ndaluar veprimtaritë që bien në kundërshtim  me ligjet e Kosovës./Indeksonline/