Gjendje emergjente në Suharekë, përmbytet e tëra nga vërshimet (foto)
Gjendja në këtë komunë për momentin është jashtëzakonshme, pasi që, shumë shtëpi e objekte janë përmbysur nga shiu, duke përfshirë këtu edhe vet objektin e komunës së Suharekës.
Një lexues i Indeksonline ka dërguar pamje nga shtëpia e tij ku thotë se i gjithë kati i parë i është përmbytur nga uji.
Ai ka sqaruar se niveli i ujit ka rënë paksa në mëngjes, porse dëmet janë të konsiderueshme. Këtë e ka konfirmuar edhe zyrtari për Informim në këtë komunë, Rinor Zyrapi, i cili në një prononcim për Indeksonline ka thënë se qytetarë nga të gjitha fshatrat kanë kërkuar ndihmë për shkak të përmbytjeve dhe se ata ende po vazhdojnë të lajmërohen.
“Ka pasur vërshime në gjithë territorin e Suharekës. Banorë të shumtë nga të gjitha fshatrat po lajmërohen për dëmet që i ka shkaktuar shiu. Edhe objektin e Komunës së Suharekës e ka kapluar uji. Pra, për momentin gjendja është emergjente, dhe komuna është duke pritur që të formojë një ekip emergjent”, ka thënë Zyrapi.
Më tej ai ka thënë se kryetari, Bali Muharremaj ka qëndruar gjatë tërë natës në teren për t’u njoftuar për së afërmi me dëmet që kanë shkaktuar vërshimet.
Muharremaj iu ka bërë thirrje ekipeve emergjente nga Regjioni i Prizrenit që tu dalin në ndihmë në tejkalimin e kësaj situate të vështirë nga vërshimi i ujit.
“Qyteti është bllokuar nga uji, ndërkohë në shumë fshatra ka dëme materiale. Me ndihmën e Zotit, duke qenë bashkë njëri-tjetrit shpresojmë ta tejkalojmë këtë sfidë bashkë”, ka thënë Muharremaj.
Indeksonline ka mësuar se deri më tani në ndihmë autoriteteve lokale në Suharekë iu kanë dalë vetëm ekipet emergjente nga Malisheva./Indeksonline/