25-11-2024

Gjimnazi “Loyola” zgjerohet me shkollimin profesional

Kuvendi i anëtarëve të Asociacionit Loyola-Gymnasium (ALG) në mbledhjen e rregullt vjetore ka zgjedhur strukturat e reja drejtuese të gjimnazit “Loyola” në Prizren.

Ky Kuvend gjithashtu ka marrë vendim që oferta e gjimnazit “Loyola” të zgjerohet edhe me shkollimin profesional, që pritet të nisë nga muaji maj i vitit të ardhshëm, shkruan sot Koha Ditore.

Në bazë të vendimmarrjes së fundit, ekipi menaxhues përbëhet nga punonjës gjermanë dhe vendorë.

“Kuvendi i anëtarëve të ALG-së, në mbledhjen e rregullt vjetore, ka emëruar dr. Matthias Czech, kryetar të Bordit të ALG-së dhe të Shoqërisë Bartëse, ndërkaq dr. Burkhard Löher është emëruar drejtor-koordinator i ALG-së dhe Neki Jahaj, drejtor i gjimnazit”, thuhet në njoftimin për media të “Loyolës”. Aty theksohet se qëllimi i përbashkët i punës së ekipit të ri menaxhues do të jetë që gjimnazi “Loyola” të mbetet projekt fanar i arsimimit në Kosovë, për të vendosur edhe në të ardhmen trende të reja”. Gjithashtu është shpjeguar edhe nisma për formimin e “Loyolas Profesionale”, ku planifikohet të ofrohen kurse të arsimit profesional.

“Në këtë takim u vendos që oferta e gjimnazit “Loyola” të zgjerohet në një shkollim profesional, që quhet “Loyola Profesionale”, i cili prej muajit maj të vitit të ardhshëm do të ofrojë kurse të arsimimit profesional për teknologji të veçanta. Me këtë projekt, gjimnazi “Loyola” do të zhvillohet si një qendër trajnimi profesional me një program të gjerë”, shkruan në komunikatë.

Asnjë koment

Comments are closed.