27-07-2024

Gjonaj dhe fshatrat e Hasit në hall me hajdutë, dyert e shtëpive mbyllen me të rënë terri

Në fshatin Gjonaj, të dielën mbrëma, hajnat janë futur në katër shtëpi, duke grabitur në tri prej tyre para të gatshme dhe stoli të arit.

Banorët e këtij lokaliteti shprehen shumë të shqetësuar për dukurinë e vjedhjeve, e cila është e pranishme në zonën e Hasit prej disa vitesh. Urim Demiraj, ka lënë Slloveninë para ca vitesh, duke u kthyer në vendlindje ku ka ka filluar të merret me veprimtari bujqësore në vendlindjen e tij, fshatin Gjonaj, raporton tv Prizreni. Por, prej se është kthyer nga kurbeti, nuk po i hec edhe shumë mbarë, pasi pas darkën e së dielës, atij në shtëpi i ishin futur hajnat, duke grabitur një sasi të konsiderueshme të hollash.

Ai thotë se në atë kohë, nuk kishte qenë vet i pranishëm në shtëpi. Pasi kishin operuar të djali i tij, Urimi, cak i grabitjes së radhës ishte shtëpia ku jeton babai, Iseni, i cili thotë se nuk i kishte hetuar hajnat, të cilët pasi kishin bërë “kontrolle” nëpër dhoma, nuk ia kishin dalur që të marrin diçka prej aty.

E se fshati Gjonaj në veçanti e zona e Hasit në përgjithësi, është në hall me hajnat prej kohësh, e thotë kryetari i ri i këtij lokaliteti, Herolind Osmanollaj. Ai thotë se rasti i fundit është tejet shqetësues, dhe se banorët po ndjehen të rrezikuar për sigurinë e tyre sapo bie muzgu.

Familjet e dëmtuara presin nga organet kompetente që të zbardhin rastet e vjedhjeve, dhe autorët të marrin dënimin e merituar dhe të ketë më shumë patrullime nga policia gjatë natës.

Kryetari i fshatit, Herolind Osmanollaj, tha se së shpejti do të bëjmë edhe kërkesë zyrtare për hapjen e një nënstacioni policor në Gjonaj, që do të ndikonte në sigurinë më të madhe për banorët e Hasit, u shpreh ai. Ndryshe, edhe Policia të hënën ka konfirmuar për vjedhjet e kryera nga autorë deri më tani të panjohur për organet e rendit në këtë lokalitet.

Asnjë koment

Comments are closed.