26-04-2024

Gjykata aprovon kërkesëpadinë e mësimdhënëses, Komuna e Rahovecit obligohet t’ia kompensojë mbi 1,500 euro

Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, e ka aprovuar kërkesëpadinë e mësimdhënëses Rreze Dema, e cila ka kërkuar nga Komuna e Rahovecit kompensimin e pagës jubilare dhe shpenzimet e shujtave për ushqim, në shumë të përgjithshme prej 1.520,87 euro.

Këtë shumë ajo e ka kërkuar me pretendimin se një kompensim i tillë i takon sipas Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Me aktgjykimin e 17 majit 2021, gjykata e ka aprovuar kërkesëpadinë e paditëses Demi, për kompensimin prej 224,87 euro (50 % të pagës bazë prej 449,74 euro) në emër të shpërblimit jubilar për 11 vite të përvojës së punës. Gjykata, gjithashtu ka obliguar të paditurën që në emër të shpenzimeve për ushqim gjatë periudhës kohore prej 18 prillit 2017 e deri më 30 mars 2021, për gjithsej 648 ditë pune, paditëses t’ia paguajë shumën prej 2.00 euro për një ditë pune, që në total i bie shuma prej 1,296.00 euro.

Pra, gjykata ka obliguar Komunën e Rahovecit që paditëses t’ia kompensojë shumën e përgjithshme prej 1.520,87 euro, të gjitha me kamatë ligjore prej 8%, duke e llogaritur prej ditës së marrjes së këtij aktgjykimi e deri në pagesën definitive, të gjitha këto në afat prej 15 ditësh pas pranimit të këtij aktgjykimi, nën kërcënim të përmbarimit të dhunshëm.

Komuna e Rahovecit gjithashtu obligohet t’i paguajë shpenzimet e procedurës, në shumën prej 363.00 euro.

Gjykata thuhet se këtë vendim e ka mbështetur në Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive të Kosovës, përkatësisht në nenin 35.8, ku parashihet e drejta e punëtorit për shpërblim jubilar si dhe në nenin 35.7, ku është e paraparë e drejta e kompensimit të shujtave për ushqim.

Ndryshe, më 17 maj 2021 ishte dhënë fjala përfundimtare nga palët ndërgjyqëse.

Ndryshe, sipas padisë të ushtruar më 24 korrik 2020, paditësja Rreze Dema, po kërkon nga Komuna e Rahovecit, përkatësisht Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA), kompensimin për shpenzimet shujtave për ushqim dhe pagat jubilare të cilat pretendojnë se i takojnë me Kontratën Kolektive.

Në padi thuhet se pos të drejtave të tjera të parapara me dispozitat e Ligjit të Punës, nr.03/L-2012, paditësve si punëtor arsimorë me kontratën Kolektive të Arsimit Parauniversitar të datës 18 prill 2017 është rregulluar se: “Të punësuarve, u sigurohet kompensimi për ushqim gjatë punës për ditët e pranisë në punë, vlera e kompensimit të shpenzimeve të ushqimit në punë për ditë pune është 2 (dy) euro, për të punësuarit që kanë marrëdhënien e punës primare në institucionet arsimore”

Me anë të padisë, Rreze Dema, po kërkon nga e paditura që për 648 ditë pune, në emër të shujtave të ushqimit t’i kompensohet shuma prej 1,296 euro, ndërsa në emër të pagës jubilare, paditëses t’i kompensohet si shpërblim jubilar 50% e pagës bazë, dhe atë 224.87 euro, apo shumën e përgjithshme prej 1,520.87 euro. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.