19-04-2024

Gjykata e Malishevës obligon kompaninë ta kompensojë lopën që ngordhi në kanal

Ai e kishte paditur kompaninë “Themeli”, pasi pretendonte se lopa e tij kishte rënë në kanalin e hapur nga kjo kompani, ku edhe më pas kishte ngordhur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, ka aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë e paditësit Jeton Krasniqi.

Sipas aktgjykimit të përpiluar nga gjykatësi Haki Kryeziu, e paditura kompania “Themeli”, detyrohet që paditësit në emër të kompensimit të dëmit t’ia paguaj shumën prej 650 euro.

Në arsyetimin e aktgjykimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, theksohet se nga administrimi i provave gjatë shqyrtimit gjyqësor, është vërtetuar se e paditura kompania “Themeli” është përgjegjëse për kompensimin e dëmit, si pasojë e lënies së kanalit të hapur, duke mos marrë veprimet e nevojshme për sigurimin e vend-punishtes në të cilën kishte punuar kjo kompani.

“Kërkesëpadia e paditësit është pjesërisht e bazuar për faktin se, nga provat e administruara, si dhe konform dispozitave ligjore të LMD-së, neni 136, paragraf 1, thekson se, kush i shkakton tjetrit dëm ka për detyrë ta kompensojë, përveç nëse vërtetohet  se dëmi është shkaktuar pa fajin e tij, ndërsa paragraf 2, thekson se, për dëmin nga sendet ose veprimtaritë, nga të cila rrjedhë rreziku i shtuar i dëmit për rrethin përgjigjet pavarësisht nga faji”, theksohet në aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë.

Sipas gjykatës kërkesëpadia e paditësit Krasniqi, u refuzua pjesërisht për faktin se nga dëshmia e dëshmitarit Avni Robaj, në cilësinë e mjekut të veterinarisë, i cili ka qenë në vend të ngjarjes, kishte deklaruar se përkundër dëmeve të cilat i ka pësuar lopa, mishi i saj ka mundur të konsumohet dhe i njëjti e kishte urdhëruar paditësin, që kafsha të shkojë për therje, dhe të cilin veprim paditësi nuk e kishte bërë.

Jeton Krasniqi kishte ushtruar padi më 24 gusht 2014, ndaj kompanisë “Themeli”, me arsyetimin se kjo e fundit e ka lënë pa përkujdesje kanalin e hapur me qëllim të vendosjes së kanalizimit në fshatin Astrazup të Komunës së Malishevës, me ç’rast më 12 gusht 2012, lopa qumështore, pronë e paditësit Krasniqi, ka rënë në po atë kanal të hapur.

Sipas padisë, lopa është nxjerrë nga kanali me ekskavator, në gjendje të rëndë shëndetësore, ku pasi është kontrolluar nga veterinari Avni Robaj, ky i fundit ka konstatuar se lopa është në gjendje të rëndë, këmbët e thyera dhe të shtypura.

Kurse, pas dy ditësh, siç thuhet në padi lopa ka ngordhur si shkak i rënies në kanalin e hapur nga pala e paditur.

Vlera e kompensimit të dëmit për lopën e ngordhur të cilën Krasniqi e kërkon nga kompania “Themeli”, përmes padisë, është 1.350 euro.

 

Asnjë koment

Comments are closed.