Gjykata e Prizrenit prej 6 muajsh me ushtrues detyre të kryetarit

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të hënën, ka reaguar ndaj një varg vendimeve të miratuara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në mbledhjen e 244-të të mbajtur më 21 dhjetor 2020, në kundërshtim me parimet dhe kriteret e përcaktuara në Kushtetutë, ligj dhe dokumentet e politikave të rishikimit funksional të sundimit të ligjit në Kosovë, të miratuara ndër të tjera nga vet ky këshill.

Reagimi i plotë:

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) reagon ndaj një varg vendimeve të miratuara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në mbledhjen e 244-të të mbajtur më 21 dhjetor 2020, në kundërshtim me parimet dhe kriteret e përcaktuara në Kushtetutë, ligj dhe dokumentet e politikave të rishikimit funksional të sundimit të ligjit në Kosovë, të miratuara ndër të tjera nga vet ky këshill.

Vendimet e kundërligjshme të KGJK-së apo në kundërshtim me politikat e miratuara nga i njëjti mekanizëm ndërlidhen me ngritjen në detyrë të shtatë (7) gjykatësve nga Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore në Prishtinë në Departamentet Speciale të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Apel, kthimin e një gjykatësi në Gjykatën Themelore në Pejë, votimin kundër për shpalljen e konkurseve për kryetar të tri (3) Gjykatave Themelore, asaj në Prizren, Prishtinë dhe Ferizaj.

Konkursi për kryetar të Gjykatës Themelore në Prizren

Që nga 4 korriku i vitit 2020, Gjykata Themelore në Prizren është duke funksionuar me ushtrues detyre të kryetarit të gjykatës, derisa Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ende nuk ka shpallur konkurs për këtë pozitë. Në nenin 3, paragrafin 1 të Rregullores për Procedurat e Zgjedhjes, Vlerësimit, Pezullimit dhe Shkarkimit të Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtareve Mbikëqyrës, është përcaktuar se konkursi për pozitat e kryetarëve të gjykatave apo gjyqtarit mbikëqyrës hapen 45 ditë para se kryetarëve aktual tu skadojë mandati.

Në këtë mënyrë, KGJK është dashur që konkursin për kryetar të Gjykatës Themelore në Prizren ta shpallë më së largu deri më 19 maj 2020.

Por, përkundër faktit se KGJK nuk e ka respektuar këtë afat ligjor që vet e ka përcaktuar, ky këshill ende nuk e ka shpallur konkursin për kryetar të Gjykatës Themelore në Prizren.

Ndryshe, vet kryesuesi i KGJK-së, mandati i të cilit përfundon në muajin korrik 2021, është gjyqtar i Gjykatës Themelore në Prizren. Bazuar në dispozitat ligjore të Ligjit mbi Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, anëtarët e KGJK-së e kanë të ndaluar që të zgjedhen kryetarë të gjykatave për dy (2) vitet e ardhshme, por se në praktikë ka pasur raste kur kjo dispozitë nuk është respektuar, si nga KGJK ashtu edhe nga KPK.

Edhe përkundër kërkesës që konkurset për Gjykatat Themelore në Prishtinë, Prizren dhe Ferizaj të shpallen në pajtim me obligimet ligjore, KGJK nuk ka zbatuar të njëjtin standard sikurse me praktikat e vet këtij këshilli, të cilët me 23 qershor 2020, kishin shpallur konkursin e brendshëm për gjykatës në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Apel.

Kufizimi i qasjes në dosjet e kandidatëve për gjykatës që janë dërguar për dekretim

Gjatë takimit të KGJK-së, dy (2) anëtarë kanë shfaqur dyshimet e tyre lidhur me procesin e rekrutimit dhe dërgimit për dekretim të gjykatësve të rinj, duke ngritur shqetësime se kandidatë me dosje penale janë propozuar tek Presidenti për dekretim.

Dy anëtarëve të KGJK-së, edhe pse kanë kërkuar qasje në këto dosje, ajo iu është kufizuar nga ana e kryesuesit të KGJK-së, me arsyetimin e anëtarët duhet të dërgojnë email apo shkresë për të pasur qasje në këto dokumente.

Për më tepër, edhe ky proces është përcjellë me mungesë të transparencës dhe llogaridhënies. Procesi i përzgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet të jetë transparent. Kjo do të thotë se procedurat dhe kriteret duhet të përcaktohen qartë nga ligji, njoftimet për vende të lira dhe të gjitha kushtet e kualifikueshmërisë, si dhe çdo kusht tjetër që lidhet me aplikimet, duhet të shpallen publikisht dhe të shpërndahen gjerësisht[2].

KKGJE ka nënvizuar se “është thelbësore që, në përputhje me praktikën në disa shtete, secili Këshill Gjyqësor, kriteret e emërimit dhe përzgjedhjes t’i bëjë të qasshme për publikun e gjerë”. KGJK, në rastin konkret, transparencën dhe llogaridhënien e ka kufizuar jo vetëm në raport me publikun por edhe me vet anëtarët e KGJK-së.

Për më tepër, akuzat se janë propozuar kandidat me të kaluar penale nuk janë arsyetuar dhe nuk është ofruar informacion gjatë mbledhjes së KGJK-së. /BetimipërDrejtësi