Organi Shqyrtues i Prokurimit ka anuluar njoftimin e Komunës së Prizrenit për anulimin e aktivitetit të prokurimit për ndërtimin e teleferikut të Kalasë së Prizrenit.
Gjykata e tenderëve ka vendosur që kjo lëndë të kthehet në rivlerësim.
Ky organ ka vendosur kështu pasi ka miratuar si të bazuar ankesën e operatorit ekonomik “Energoremont DD – dega në Kosovë & Energorment DD & KAG Asphalt Company” kundër njoftimit për anulimin e këtij aktiviteti të prokurimit, shkruan sot Koha Ditore.
“Anulohet njoftimi për anulimin e aktivitetit të prokurimit me titull “Ndërtimi i teleferikut për qasje më të lehtë në Kalanë e Prizrenit, të iniciuar nga Komuna dhe lënda kthehet në rivlerësim”, shkruan në vendimin e OSHP-së.
Në arsyetimin e vendimit, Paneli Shqyrtues ka pohuar se pas shqyrtimit të të gjitha provave ka konstatuar se janë të qëndrueshme pretendimet e operatorit ankues për shkeljen e nenit 62 të LPP-së, sepse Komuna nuk i është përmbajtur vendimit të OSHP-së së 11 dhjetorit 2017, ku është obliguar që lënda të kthehet në rivlerësim.