Gjykata ia pranon Thaçit dorëzaninë prej 50 mijë eurosh, por e mban në paraburgim për arsye të tjera
Gjyqtari Christopher Gosnell, në vendimin e tij, ka thënë se Thaçi nuk paraqet rrezik për arratisje.
“Së pari, z. Thaçi duket se ka lidhje familjare të konsoliduara thellë në Kosovë të cilat gjithashtu pasqyrohen nga oferta e një garancie financiare të paraqitur nga njëri prej vëllezërve të tij në mbështetje të “ribashkimit të tij me familjen tonë”, thekson gjyqtari në vendimin e tij.
“Vendimi i tij për të dhënë dorëheqjen si President i Kosovës dhe për t’iu dorëzuar juridiksionit të Gjykatës Speciale në përgjigje të fletarrestimit në Çështjen 6 është një tregues i fuqishëm se ai nuk do të zgjidhte tani të bëhej i arratisur nga drejtësia mbi bazën e akuzave në këtë çështje, të cilat janë më pak serioze”, shton.

“Së dyti, garancia financiare prej 50,000 eurosh e ofruar nga familja dhe miqtë, e cila i nënshtrohet konfiskimit në rast të mosparaqitjes në procedurat gjyqësore, e zvogëlon më tej një rrezik të tillë”.
Megjithatë, sipas gjyqtarit dhe argumenteve të përdorura nga ai, ekziston “rreziku që Thaçi të ndërhyjë në proces”. Kur bën këtë konstatim, gjyqtari Gosnell i është referuar dëshmitarëve të rastit “06”, ku Thaçi bashkë me Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin akuzohen për krime lufte, pavarësisht se atje çështja ka përfunduar dhe se tani pritet vetëm shpallja e aktgjykimit.
“Në përmbledhje, Gjyqtari i Vetëm i Gjykimit konstaton se ekziston një rrezik, në përputhje me nenin 41(6)(b)(ii), që z. Thaçi, nëse lirohet, mund të pengojë zhvillimin e procedurave të Gjykatës Speciale në lidhje me dëshmitarët “shumë të ndjeshëm” të Çështjes”, ka theksuar gjyqtari Gosnell.
Ish-Presidenti Thaçi kishte ofruar në total 14 garanci për mbrojtje në liri në rastin ku ai akuzohet për pengim të drejtësisë në Gjykatën Speciale, shkruan VOX.
Kjo është lista e plotë e garancive të ofruara nga avokatët e Thaçit:
a) Thaçi nuk do të largohet nga territori i Kosovës, përveç nëse autorizohet për këtë nga një trup gjykues kompetent i Dhomave të Specializuara të Kosovës;
b) Thaçi do t’ia dorëzojë Regjistrit pasaportën e tij dhe çdo dokument tjetër udhëtimi, duke përfshirë vizat dhe çdo dokument tjetër identiteti që mund të përdoret për udhëtim – kjo shtrihet edhe në çdo pasaportë të re ose dokument udhëtimi që lëshohet nga autoritetet e Kosovës, ose nga ndonjë autoritet tjetër, pas nxjerrjes së këtij vendimi; nëse prania e Thaçit kërkohet në selinë e Gjykatës, Regjistri do t’ia sigurojë atij pasaportën vetëm për atë qëllim; pasaporta e tij do të ridorëzohet pas kthimit të tij në Kosovë;
c) Thaçi do të japë një adresë në të cilën do të banojë në Kosovë për kohëzgjatjen e procedurave gjyqësore dhe do të kërkojë leje nga Gjykata para çdo ndryshimi të vendbanimit;

d) Thaçi do t’i sigurojë Regjistrit një garanci financiare si parakusht për lirimin e tij, në formën e një transferimi monetar në shumën prej 50.000 eurosh në Regjistër;
e) Thaçi do të përmbahet nga çdo kontakt ose komunikim, të drejtpërdrejtë ose të tërthortë (nëpërmjet çdo personi tjetër), të çdo lloji dhe nëpërmjet çdo mjeti, me bashkë të akuzuarit e tij (Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi);
f) Thaçi do të përmbahet nga çdo kontakt ose komunikim, të drejtpërdrejtë ose të tërthortë (nëpërmjet çdo personi tjetër), të çdo lloji dhe nëpërmjet çdo mjeti, me çdo person që ai e di se është dëshmitar në këtë ose në ndonjë rast tjetër para KSC-së;

g) Thaçi do të përmbahet nga çdo kontakt ose komunikim, të drejtpërdrejtë ose të tërthortë (nëpërmjet çdo personi tjetër), me çdo person për të cilin pretendohet në Aktakuzën e Ndryshuar të Konfirmuar se ka marrë pjesë ose ka ndihmuar sjelljen penguese në këtë rast;
h) Thaçi nuk do të diskutojë, përveç me anëtarët e caktuar të ekipit të tij mbrojtës, thelbin e çështjes së tij me askënd, duke përfshirë anëtarët e ngushtë të familjes, dhe do të njoftojë çdo person që bën pyetje lidhur me çështjen e tij se ai i nënshtrohet një ndalimi të tillë nga Gjykata;
i) Thaçi do të përmbahet nga bërja, drejtpërdrejt ose tërthorazi (për shembull nëpërmjet anëtarëve të familjes), e çdo deklarate publike për mediat dhe/ose në rrjetet sociale lidhur me Gjykatën, Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe/ose çdo procedurë të Gjykatës;
j) Thaçi do të vihet në dispozicion për një kontroll javor verifikimi nga Policia e Kosovës, në përputhje me procedurat e përcaktuara nga Regjistri;
k) Thaçi do të dorëzohet në kujdestarinë e Gjykatës, nëse urdhërohet kështu, dhe do të marrë pjesë në çdo seancë siç kërkohet nga Gjykata: çdo mosparaqitje para Gjykatës sipas urdhrit, do të çojë në konfiskimin e garancisë financiare në nënparagrafin (d) dhe lëshimin e menjëhershëm të një urdhër-arresti;
l) Thaçi do ta informojë Regjistrin për adresën ku do të banojë gjatë kohës që ndodhet në territorin e Shtetit Pritës me qëllim të pjesëmarrjes në seancat gjyqësore dhe do t’u përmbahet çdo kufizimi të lëvizjes së tij në territorin e Shtetit Pritës, që mund t’i vendoset atij nga Shteti Pritës gjatë periudhës së qëndrimit të tij atje;
m) Thaçi do ta respektojë klasifikimin e vendimit për lirimin e tij dhe nuk do ta publikojë, zbulojë ose diskutojë ndryshe përmbajtjen e tij, drejtpërdrejt ose tërthorazi, me asnjë person, duke përfshirë çdo të akuzuar në Objektet e Paraburgimit dhe familjen e tij, me përjashtim të avokatit të tij dhe anëtarëve të caktuar të ekipit të tij mbrojtës, derisa vendimi të jetë bërë publik me urdhër të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake ; dhe
n) Thaçi do t’i përmbahet çdo vendimi, urdhri ose udhëzimi tjetër të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake (STJ) dhe Regjistrit.
