20-04-2024

Gjykimi ndaj ish-drejtorëve të Prizrenit

Mbrojtësi i të akuzuarit Levent Kasemi, avokati Blerim Mazreku ka thënë se është kontraktuar që në të njëjtën procedurë penale, të përfaqësojë edhe palën e dëmtuar në këtë rast, Komunën e Prizrenit.

Një deklaratë të tillë, Mazreku e dha në seancën gjyqësore të mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Prizren, në gjykimin ku ish-drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit, Levent Kasemi, ish-drejtori për Punë dhe Mirëqenie Sociale, Fejzë Kabashi, si dhe ish-drejtori për Kadastër dhe Gjeodezi, Refki Shaqiri, po akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Për të njëjtën vepër penale po akuzohen edhe asamblistja në Kuvendin Komunal të Prizrenit, Ganimete Babuna, si dhe drejtori i Fondacionit “Lumbardhi”, Ares Shporta, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ata akuzohen se si anëtarë të komisionit për dhënie në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit, në mënyrë të kundërligjshme kanë dhënë në shfrytëzim pronën komunale, që ndodhet në sheshin “Shatërvan”.

Në seancën e parë gjyqësore që u mbajt të hënën, avokati Mazreku që në këtë rast mbron të akuzuarin Kasemi, tha se aktualisht është i kontraktuar që në këtë procedurë të përfaqësojë edhe Komunën e Prizrenit, që në këtë rast ka statusin e palës së dëmtuar.

thumbnail_IMG_9970

Ai tha se nga i akuzuari Kasemi ishte kontraktuar shumë më herët se sa nga Komuna e Prizrenit, duke shtuar se për këtë arsye nuk mund të përfaqësoj Komunën e Prizrenit pasi që paraprakisht ka ndërmarrë veprime juridike në emër të Kasemit.

Ai kërkoi të dijë nga prokuroria nëse vazhdon të qëndrojë prapa propozimit që Komuna e Prizrenit të jetë palë e dëmtuar në këtë çështje.

Lidhur me këtë, prokurori Metush Biraj tha se qëndron prapa asaj që Komuna e Prizrenit të mbetet palë e dëmtuar në këtë çështje penale, pasi siç tha do të vërtetohet teza se Komunës i është shkaktuar dëm.

Për këtë arsye, avokati Mazreku kërkoi që seanca e së hënës të shtyhet dhe të caktohet për një ditë tjetër, e ku ftesa palës së dëmtuar, Komunës së Prizrenit t’i dërgohet Zyrës së Kryetarit të Komunës me qëllim që të caktohet një përfaqësues tjetër.

Ndryshe, pas kësaj seanca ka vazhduar me leximin e aktakuzës nga ana e prokurorit e ku të akuzuarit u deklaruan sërish të pafajshëm.

Por, meqenëse në seancë nuk ishte i pranishëm asnjë përfaqësues i Komunës së Prizrenit, si palë e dëmtuar seanca u ndërpre dhe vazhdimi i saj u caktuar për 14 dhe 15 korrik 2021.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, të ngritur më 29 nëntor 2019, të akuzuarit Kasemi, Kabashi, Shaqiri, Shporta dhe Babuna, ngarkohen se më 18 mars 2019, nuk i përmbushin detyrat e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër, apo që t’i shkaktojnë dëm personit tjetër.

Organi i akuzës, ata i ngarkon se duke qenë pjesë e komisionit për dhënie në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit, në bashkëkryerje me dashje kanë shkelur kriterin e vetëm të Ankandit Publik, gjegjësisht nenin 5, paragrafi 3 të ligjit nr.04/L-144, ku theksohet se procedura për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale bëhet përmes Ankandit Publik, dhe akteve nënligjore, ku theksohet se përzgjedhja e fituesit bëhet në bazë të një kriteri dhe atë të çmimit më të lartë të ofruar.

Në aktakuzë thuhet se duke vepruar në këtë mënyrë, të njëjtit kanë shkelur të drejtat e të dëmtuarit Albert Doqi, duke përzgjedhur si shfrytëzuese ofertuesen Fatmire Berisha, përkundër faktit se i dëmtuari Doqi, kishte kuotuar çmimin më të lartë, gjegjësisht shumën 25.20 euro për m2, për lokalin nr.29, i cili gjendet në sheshin “Shatërvan”, por i njëjti lokali i është dhënë në shfrytëzim ofertueses Berisha, me çmim pre 20.06 euro për m2.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit përkundër faktit se në bazë të dokumentacionit të prezantuar dëshmohet se përfituesja Fatmire Berisha, nuk ka pasur përvojë në menaxhim dhe zhvillim të biznesit, komisioni për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale në Prizren, të njëjtën e ka poentuar me pikë maksimale.

Sipas aktakuzës, më pas komisioni për ankesa pranë Kuvendit Komunal në Prizren, e kishte aprovuar kërkesën e palës së dëmtuar, ku më 28 shkurt 2019, ka anuluar vendimin e këtij komisioni duke e dërguar çështjen në rishqyrtim, përkundër faktit të tillë, Komisioni përmes njoftimit të datës 1 prill 2019, ka potencuar se qëndrojnë pranë njoftimit të datës 17 janar 2019, ku janë shpallur fituesit e ankandit për shfrytëzimin me qira të lokaleve-pronë komunale.

Me këtë, sipas Prokurorisë Themelore në Prizren, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2, pika 2.6, e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.