19-05-2024

Gjykimi ndaj zyrtarëve të Suharekës, aprovohen propozimet e mbrojtjes për paraqitjen e provave të reja

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të mërkurën, mbrojtësit e të akuzuarve Jehona Rrafshi-Lumi dhe Hafir Maliqaj, avokatët Klodian Krasniqi dhe Fatmir Jëlliqi kanë paraqitur prova të reja.

Këto prova i ka aprovuar kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Teuta Krusha, raporton “Betimi për Drejësi”.

Paraqitjen e provave nga avokatët Krasniqi dhe Jëlliqi, nuk i ka kundërshtuar prokurori Metush Biraj, ndërsa të njëjtat i kanë mbështetur të akuzuarit Rrafshi- Lumi dhe Maliqaj.

Po ashtu, të njëjtat nuk i ka kundërshtuar edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Komuna e Suharekës, Shkëlqim Salihu.

Pas aprovimit nga gjykatësja Krusha, provat e propozuara janë lexuar dhe ndaj të njëjtave nuk ka paraqitur vërejtje prokurori Biraj, të akuzuarit Rrafshi- Lumi dhe Maliqaj, si dhe mbrojtësit e tyre, avokatët Krasniqi dhe Jëlliqi.

Në këtë seancë, nuk ishte prezent përfaqësuesi i të dëmtuarës “Agro- Kosova” Holding, Haziz Tafaj, për të cilin gjykatësja Krusha tha se ka prova që i njëjti është ftuar në mënyrë të rregullt.

Tutje, Krusha tha se palët nuk kanë propozime të reja dhe se seanca do të vazhdojë me marrjen në pyetje të akuzuarën Rrafshi- Lumi.

Mirëpo, avokati Krasniqi ka kërkuar kohë për përgatitje për dhënien e mbrojtjes nga e akuzuara Rrafshi- Lumi. I njëjti ka kërkuar që kjo seancë të ndërpritet dhe seanca e 17 marsit 2023 të anulohet.

Kërkesën e tillë, nuk e kanë kundërshtuar prokurori Biraj, përfaqësuesi i Komunës së Suharekës, Salihu, i akuzuari Maliqaj dhe avokati Jëlliqi, e të njëjtën e ka aprovuar gjykatësja Krusha.

Pas kësaj, seanca e sotme është ndërprerë, kurse seancat e radhës janë caktuar të mbahen më 17 dhe 22 maj 2023.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit të ngritur më 19 prill 2021, e akuzuara Jehona Rrafshi-Lumi ngarkohet me veprën penale të “Keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa i akuzuar Hafir Maliqaj, ngarkohet me dy vepra penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në aktakuzë thuhet se akuzuara Rrafshi-Luma, duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e pastaj nuk e përmbush detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër.

Aktakuza thotë se në vend të inspektorit të ndërtimtarisë ne cilësinë e drejtoreshës së Drejtorisë së Inspekcionit të Komunës se Suharekës, nxjerr konkluzion 09 Nr.109, të datës 26 maj 2020, e pastaj më 29 maj 2020 në vendngjarje ne parcelat kadastrale nr.2667-0 dhe 2685-0 , pronë e të dëmtuarës ” AgroKosova – Holding ” , në rrugën “Ukë Bytyqi” në lagjen Shirokë të Suharekës, udhëheq me procedurën dhe në kundërshtim me frymën e konkluzionit, nuk e rrënon në tërësi objektin afarist të ndërtuar pa leje, të investitorit Blerim Gashi dhe kësisoj i shkakton dëm material ose ia shkel të drejtat e të dëmtuarës.

Për këtë, ajo po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 e lidhur me paragrafin 3 pika 3.6 të KPRK.

Ndërsa, i pandehuri Hafir Maliqaj po akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare nuk i përmbush detyrat zyrtare me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër.

Sipas aktakuzës, pas datës 29 maj 2020, si inspektor i ndërtimtarisë në Drejtorinë e Inspekcionit të komunës se Suharekës, nuk ndërmerr masa ligjore për pengimin e rindërtimit pa leje të objektit afarist, i ndërtuar nga investitori Blerim Gashi në parcelat kadastrale 2667-0 dhe 2685-0, pronë e të dëmtuarës “Agrokosova – Holding” në rrugën “Ukë Bytyqi”, në lagjen Shirokë të Suharekës, duke u mjaftuar vetëm me nxjerrjen me vonesë të një urdhër ekzekutimi të lëshuar nga Drejtoresha e Drejtorisë së Inspekcionit 09 Nr.2076, më 30 nëntor 2020, pasi ka përfunduar ndërtimi dhe me këtë të dëmtuarës i është shkaktuar dëm material ose shkelur të drejtat e saj.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 1 të KPRK.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari Hafir Maliqaj si person zyrtar duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar nuk i përmbush detyrat zyrtare me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër, në atë mënyrë që nuk vepron sipas urdhrit të aktvendimit të lëshuar vete më 20 gusht 2020, që në afatin e lejuar prej 15 ditëve të pajiset me leje ndërtimi.

Në aktakuzë thuhet se gjatë këtij afati njëherit ta mbikëqyrë dhe pengojë investitorin Xhevdet Rexhepin, pronar i objektit afarist “Viva Fresh” në fshatin Reshtan – Komuna e Suharekës, që të vazhdojë me ndërtim, por përveç që nuk e bën këtë, po ashtu del me vonesë në vend të ngjarjes më 28 shtator 2020, ku në procesverbalin e hartuar të datës 28 shtator 2020, pasi urdhëron ndërprerjen e punimeve në vend që të ndërmerr masa që investitorit t’i lejojë afat për tretnim vullnetar e pastaj eventualisht për rrënim të detyrueshëm, përsëri i jep afat shtesë por tani më të gjatë prej 30 ditëve që të pajiset me leje ndërtimi, me të cilat veprime i ka shkaktuar dëm material komunës së Suharekës.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 të KPRK. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.