25-04-2024

Gjykimi për korrupsion ndaj zyrtarëve të Malishevës, lëshohet urdhëresë për sjellje me forcë ndaj ish-drejtorit të Urbanizimit

Gjykata Themelore në Gjakovë do të lëshojë urdhëresë për sjellje me forcë në seancë ndaj ish-drejtorit të Urbanizmit në Malishevë, Islam Vrenezi, i akuzuar për korrupsion, i cili mungoi pa arsye në seancën e së enjtes.

Bashkë me Vrenezin, për vepra penale që lidhen me korrupsionin, po akuzohen edhe zyrtarët komunal të Malishevës, Januz Krasniqi, Jakup Shurdhaj, Besnik Krasniqi dhe Qlirim Karaqica, si dhe biznesmeni Remzi Mazreku, të cilët ishin të pranishëm në seancë bashkë me mbrojtësit e tyre.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Drilon Haraçia deklaroi se të akuzuarit Vrenezi i ishte dërguar ftesa për këtë seancë përmes policisë, mirëpo i njëjti nuk është paraqitur në seancë. Në seancë nuk është paraqitur as mbrojtësi i tij, avokati Faik Halili.

Për këtë rast ishte caktuar që të mbahej seanca edhe nesër, më 14 janar, mirëpo mbrojtësi i të akuzuarit, Mazreku, avokati Bekim Kafexholli  kërkojë që seanca e radhës të shtyhet për një datë tjetër, pasi që sipas tij, ai para tri dite është pajisur me autorizim nga i mbrojturi i tij dhe se i duhet kohë që të përgatitet dhe t’i marrë shkresat nga avokati paraprak.

Në këto rrethana, seanca e radhës është caktuar që të mbahet më 1 mars 2022.

E akuzuar në këtë rast për falsifikim të dokumentit zyrtar kishte qenë edhe Valdete Morina, mirëpo ndaj të njëjtës është hedhur poshtë aktakuza, vendim të cilin e ka vërtetuar edhe Gjykata Supreme.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, i akuzuari Remzi Mazreku po ngarkohet me veprën penale “Veprimtari e pandërgjegjshme ekonomike” nga neni 285, paragrafi 1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, i akuzuari Remzi Mazreku gjatë muajit tetor të vitit 2018, në Malishevë, në cilësi të operatorit ekonomik N.T “Flamuri”, me dashje ka shkelur ligjin e afarizmit, duke vepruar në kundërshtim me standardet e rregullta të afarizmit.

Siç thuhet në aktakuzë, ai këtë e ka bërë në atë mënyrë që pasi që e ka fituar kontratën më 29 tetor 2018, nga Komuna e Malishevës për kryerjen e punimeve të kanalizimit në fshatin Balincë dhe lagjen “Veselaj” të Malishevës, nuk i kanë përmbushur kushtet e kërkuara sipas kontratës, duke mos i kryer punimet sipas kritereve të kërkuara në kontratë, ashtu që janë vendosur gypa të plastikës, jo të brinjëzuara, nuk është mbuluar me dhe të gërmuar gypi PE/315 i vendosur dhe i përforcuar për betoni, në gjatësi 12 metra, puseta nuk është mbuluar me kapakë betoni, nuk janë vendosur kapakët metalik gizës /600 me kapacitet 40 ton, nuk është bërë rregullimi i vendpunishtes pas përfundimit të punimeve, si dhe punë tjera të pakryera, me ç’rast Komunës së Malishevës i ka shkaktuar dëm në shumën prej 9,870.18 euro.

Sipas aktakuzës, më 16 nëntor 2018, në Malishevë, i akuzuari Januz Krasniqi në cilësinë e kryetarit, ndërsa të akuzuarit Jakup Shurdhaj dhe Besnik Krasniqi në cilësinë e anëtarëve të Komisionit për pranimin e punimeve në rrjetin e kanalizimit në fshatin Balincë dhe lagjen “Veselaj” të Malishevës, të caktuar sipas vendimit të kryetarit të Komunës së Malishevës të 15.11.2018, në dokumentin zyrtar- Raportin e Pranimit Teknik të 16.11.2018, kanë shënuar të dhëna të rreme duke vërtetuar se është përmbushur kontrata me operatorin ekonomik N.T “Flamuri”, sipas përmasave dhe kontratës së kontraktuar, dhe projekti i kanalizimit i plotëson kushtet për përdorim, sipas kritereve të kërkuara me kontratën e lidhur në mes të Komunës së Malishevës dhe N.T “Flamuri” edhe pse punët në vendpunishte nga operatori ekonomik nuk janë kryer siç janë përshkruar në dispozitivin një të aktakuzës.

Për këtë, po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”, nga neni 434 parag.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, më 9 nëntor 2018 në Malishevë, i akuzuari Islam Vranezi në cilësinë e Drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Malishevës, dhe e akuzuara Valdete Morina, në cilësinë e menaxheres së projektit të kanalizimit në fshatin Balincë dhe lagjen “Veselaj”, në dokumentin zyrtar-Raportin e Kryerjes së Punimeve, kanë shënuar të dhëna të rreme  duke  vërtetuar se pas daljes në terren në fshatin Balincë dhe lagjen “Veselaj” janë realizuar punimet në bazë të projektit të kontratës dhe planit dinamik nga operatori ekonomik N.T “Flamuri”, duke rekomanduar që operatori ekonomik në fjalë t’i bëhet pagesa për realizimin e këtyre punimeve në shumën prej 9,870.18, edhe pse e pandehura Morina ishte në pushim vjetor nuk kishte dalë në vendpunishte edhe pse punët në terren nga operatori ekonomik nuk janë kryer siç janë përshkruar në dispozitivin një të aktakuzës.

Për këtë, po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar”, nga neni 434, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Ndërsa, sipas aktakuzës, i akuzuari Qlirim Karaqica po akuzohet se më 12 shkurt 2018, në cilësinë e zyrtarit në Drejtorinë për Urbanizëm në Malishevë ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke i tejkaluar kompetencat e tij, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme për vete dhe për të tjerët.

Siç thuhet në aktakuzë, ai këtë e ka bërë në atë mënyrë që duke vepruar në kundërshtim me  nenin 9 të Ligjit për Prokurimin Publik, edhe pse ishte i obliguar që para se të bëjë paramasën dhe parallogarinë të del në terren dhe të shikojë terrenin ku do të kryhen punimet, i pandehuri e bën paramasën dhe parallogarinë për shpurje horizontale të rrugës për kalimin e gypit të kanalizimit apo të ujërave atmosferike në gjatësi prej 55 metra, duke bërë parallogarinë prej 3500 euro tek nënkalimi në vendin ku ka ekzistuar shpurja horizontale edhe më parë, me ç’rast Komunës së Malishevës i ka shkaktuar dëm material rreth 3500 euro.

Për këtë, po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Asnjë koment

Comments are closed.