Gjykimi për vrasjen e rëndë në Suharekë, debat të ashpër e tensione në mes palëve prezente në sallë

Në Gjykatën Themelore në Prizren, ka vazhduar gjykimi që ka të bëjë me vrasjen e të tanimë të ndjerit, Abedin Bytyqi, që kishte ndodhur më 6 tetor 2016, me të cilën janë ngarkuar të akuzuarit Murat Ademi, Resmije Bytyqi, Fadil Fetiu dhe Reshat Ademi.

Sipas aktakuzës, viktima pasi ishte rrahur, ishte mbytur duke iu vënë zjarri dhe më pas duke u groposur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Seanca e së mërkurës është përcjellë me debat të ashpër e tensione në mes të palëve prezentë në sallë të gjykatës.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Genc Nixha, katër të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë për veprat penale me të cilat ngarkohen.

Prokurori Nixha gjithashtu bëri të ditur ndryshimin e aktakuzës për të akuzuarin Fadil Fetiu, ashtu që ka ricilësuar veprën penale nga “vrasje e rëndë” në “nihmë për kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë”.

Në fjalën e tij hyrëse, prokurori Nixha deklaroi se mbet në tërësi pranë fjalë hyrëse të dhënë në herën e parë, në seancën e 9 nëntorit 2017, duke kërkuar që të akuzuarit të ri shpallen fajtor, e duke shtuar edhe se të gjithë mbrojtësit e të akuzuarve janë pajisur me provat.

Mirëpo, mbrojtësi i të akuzuarit Murat Ademi, avokati Bahtir Troshupa, tha se nuk i ka marrë të gjitha shkresat, mungesën e të cilave do ta paraqesë në formë të shkruar.

Fjalën e prokurorit e mbështeti edhe përfaqësuesi i të dëmtuarve, avokati Blerim Mazreku, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të gjithë mbrojtësit e të akuzuarve, avokati Troshupa, avokati Arben Ramadani për të akuzuarin Reshat Ademi, avokati Sefer Morina për të akuzuarin Fadil Fetiu dhe avokati Durim Nevzati për të akuzuarën Resmije Bytyqi, deklaruan se qëndrojnë pranë fjalëve hyrëse të dhëna në seancën e vitit 2017.

Të njëjtit deklaruan se gjatë shqyrtimeve do të vërtetohet pafajësia e klientëve të tyre.

I pari dëshmitar i ftuar për tu dëgjuar ishte i dëmtuari Avdi Bytyqi, i cili deklaroi se qëndron prapa deklaratës së dhënë në dhjetor të 2017-tës.

“Kur kam shkuar në punëtori ku ka punuar Resmije Bytyqi, i kam thënë ti e din ku është Abedini, edhe e ka ditur mirë dhe shumë mirë e ka ditur, dhe me ka thënë se Abedini ka shkuar në Shqipëri, edhe pse unë e di se ai kurr nuk ka shkuar në Shqipëri”, deklaroi Bytyqi.

I njëjti tha se e pandehura Resmije ka jetuar bashkë me të ndjerin dhe se nu kanë dëgjuar se kanë pasur ndonjë mosmarrëveshje në mes vete.

“Unë me sytë e mi nuk e kam parë, Resmija ka thënë po më dhemb kryet, shko merre ndonjë hap për kry në barnatore burrit të vet Abedinit, në ora 02:00 të natës, kur Abedini ka dasht me hypë në automjet, ka parë diçka dyshimtë rreth automjetit të tij”, deklaroi tutje babi i të ndjerit, duke shpjeguar atë çfarë di për rastin.

Pas tij, në cilësi të dëshmitares është dëgjuar Qëndresa Krasniqi, e cila deklaroi se nuk e ka ditur më herët se ku gjendet restorant “Bunari”, por se për të ka dëgjuar në seancat e  kaluara kur është marrë në pyetje.

E njëjta shtoi se nuk ka biseduar asnjëherë në telefon me të akuzuarin Murat Ademi, se nuk e njeh personin me emrin Nijazi Gega dhe se nuk ka kërcënime nga e akuzuara Resmije Bytyqi.

Pas kësaj, dëshmitarja Krasniqi deklaroi se qëndron prapa deklaratave të dhëna me 15 janar dhe 14 gusht 2019.

Në seancën e së mërkurës, në cilësi të dëshmitarit është dëgjuar edhe Bajram Ademi, babai i të akuzuarës Resmije Bytyqi, i cili tha se nuk ka njohuri se vajza e tij ka pasur probleme me tani të ndjerin dhe se nuk e di nëse i ndjeri ka pasur probleme me dikë.

Dëshmitari Ademi tha se para rastit të ndodhur, të zhdukjes së të ndjerit Abedin Bytyqi, nuk ka ditur asgjë dhe se pas rastit, lidhur me atë ka biseduar vetëm me bashkëshorten

I njëjti deklaroi se me të akuzuarit ka tashmë 4 vite që nuk dalin, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ka ardhur Murati në oborrin e shtëpisë tim dhe i ka thënë vajzës time Resmijes, në qoftë se të thirr dikush në telefon, ti lajmëro menjëherë policinë”, tha dëshmitari se ka ndodhur pas rastit.

Mirëpo, derisa avokati Bahtir Troshupa i parashtronte pyetje dëshmitarit, prokurori Nixha i kundërshtonte ato, çka dhe nxiti debat të ashpër mes tyre.

“Ko me reagu në çdo pyetje tane”, thotë prokurori Nixha, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nëse nuk më ndërhyni dhe nuk më jepni këshilla shumë, unë e kryej këtë punë qishtu”, tha avokati Troshupa.

“Jo mor jo, na kemi me të dhëna këshilla ty derisa të bën pyetje qysh duhet…”, vazhdon prokurori.

“Jam i gatshëm me mësu por jo me më dhënë këshilla. Unë i ngoj këshillat prej atyre që se shkelin ligjin, e jo prej juve që e shkelni përditë”, iu përgjigj avokati.

Pas kësaj, prokurori kërkoi nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Xheladin Osmani, që avokatit t’i tërhiqet vërejtja.

“Të lutem tregoja që edhe një herë po e tha qet punë, atëherë merremi vesh ndryshe”, tha prokurori Nixha.

“Atëherë ti po më kërcënon mu?”, e pyeti avokati Troshupa.

“Po të kërcënoj se ti s’ki të drejtë me më thanë mu ‘na qysh mirrem vesh’, se unë jom prokuror”, vazhdoi prokurori.

“Unë jom i barabartë me ty”, iu drejtua avokati prokurorit.

“Jo ti s’je bashkë me mu, ti je i barabartë me mu, po unë e di punën tem qysh e kryej. Jo ti me më kallxu…. Po s’ki faj ti, se ka faj…jo faj…po përgjegjësia e gjyqtarit është…”, vazhdoi prokurori Nixha, duke konsideruar pyetjet e avokatit Troshupa si shumë provokative.

Pas debatit të tyre, gjykimi ka vazhduar me dëshminë e dëshmitarit Ademi, i cili u pyet nga i akuzuari Murat Ademi, nëse i kujtohet koha se kur ka shkuar i akuzuari tek ata.

“A ju kujtohet koha, cilën kohë unë kam ardhur të ju, kam biseduar me Resmijen apo kam bisedu me ty, me nipin, me mbesën dhe bashkëshorten në shtëpi, çfarë kohe?”, ishte pyetja e të akuzuarit Ademi.

“Unë deklarova se brenda në shtëpi kanë biseduar Murati dhe Resmija, kurse nipat dhe mbesat nuk kanë bisedu, ka qenë mbrëmje, ora ka qenë 19:00-20:00”, deklaroi dëshmitari, duke shtuar se bisedat kanë zgjatur 10-15 minuta.

Kurse i pyetur lidhur me raportet me dhëndrin e tij, tani të ndjerin, dëshmitari u përgjigj: “Kanë qenë qysh ma të mira, 10 ditë para ngjarjes kemi qenë në Prevallë me Abedinin dhe dy dhëndrit tjerë”.

“A të kujtohet para rastit kritik, ditës kritike, që Resmija ka ardhur te shtëpia më ka taku dhe më ka marrë me vete, ku edhe ju si agjë keni qenë prezent tanë kohës”?, e pyeti i akuzuari dëshmitarin, i cili njëherit është axha i tij.

“Nuk e di që vajza ime Resmija ka ardhur me të marrë ty”, deklaroi dëshmitari Ademi.

“A jeni i sigurte që e thoni të vërtetën, para këtyre seancave dhe sot në seancë?”, e pyeti i akuzuari dëshmitarin.

“Sigurt jam dhe kurrë në jetën time nuk kam rrejte”, u përgjigj ai, pas së cilës përgjigje filluan edhe fyerjet në drejtim të tij nga ana e të akuzuarit Murat Ademi.

“Qen…Plak…Zoti ju mallkoftë me nipa e mbesa”, ishin disa nga fyerjet me të cilat i akuzuari iu drejtua dëshmitarit, axhës së tij, pas së cilave edhe u sul ta sulmoi fizikisht, por që u ndalua nga zyrtarët policorë, të cilët edhe u detyruan ta largojnë nga sallë e gjykimit.

Edhe pas kësaj, ka vazhduar dëgjimi i dëshmitarit Ademi, i cili deklaroi se pasi e ka kuptuar se burri i vajzës është zhdukur, është interesuar vetëm ta di se nga ka shkuar ai, duke shtuar se vajza e tij i kishte treguar se tani i ndjeri nuk kishte shkuar në shtëpi.

“Pasi ke dëgjuar nga Resmija se dhëndri i juaj është zhdukur, a keni kontaktuar mikun tuaj këtu, të dëmtuarin Avdi Bytyqi?”, ishte pyetja e përfaqësuesit të të dëmtuarit, avokatit Blerim Mazreku.

Lidhur me këtë, dëshmitari tha se nuk e ka kontaktuar, madje shtoi se as nuk është takuar me Hajriz Budakovën në rrugë ditën kur është zhdukur tani i ndjeri.

Pas kësaj, gjykatësi Osmani deklaroi se seanca duhet të ndërpritet, me arsyetimin se anëtari i trupit gjykues, gjykatësi Refki Piraj, është i angazhuar në një seancë tjetër.

Gjykimi për këtë rast pritet të vazhdoj më 21 dhe 29 tetor, nga ora 10:00.

Ndryshe, lidhur me këtë akuzë, Gjykata Themelore në Prizren, më 7 tetor 2019, e kishte shpallur fajtor për vrasje të rëndë, Murat Ademin dhe të njëjtin e kishte gjykuar me 25 vjet burgim.

Resmije Bytyqi, e cila kishte qenë bashkëshorte e të ndjerit, për veprën penale të shtytjes në vrasje të rëndë, ishte dënuar me 20 vjet burgim.

I akuzuari Fadil Fetiu, ishte shpallur fajtor për ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë dhe për këtë, ishte gjykuar me 12 vjet burgim.

Kurse, i akuzuari tjetër, Reshat Ademi, nga gjykata e shkallës së parë ishte shpallur i pafajshëm për veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.

Sipas aktgjykimit, të akuzurve Ademi dhe Bytyqi, në dënim do tu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 18 tetori 2016 deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit, kurse të akuzuarit Fetiu, do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga 18 nëntori 2016 deri më 28 qershor 2017, si dhe prej datës 20 maj 2019 e deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, i akuzon Murat dhe Reshat Ademin se me 6 tetor 2016, pas marrëveshjes paraprake, kanë privuar nga jeta, në mënyrë mizore, të ndjerin Abedin Bytyqi kurse, Resmije Bytyqin e akuzon për shtytje në kryerjen e vrasjes.

Fadil Fetiu fillimisht akuzohej për mos lajmërim të veprës penale, mirëpo, më 7 maj 2019, e kishte ndryshuar aktakuzën sa i përket Fetiut, ashtu që të njëjtin e ka ngarkuar me veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë.

Sipas aktakuzës, vëllezërit Ademi, janë takuar gjatë vitit 2016 me të akuzuarën Resmije Bytyqi, të cilën e kanë vajzë të axhës dhe ajo u është ankuar atyre se bashkëshorti i saj, viktima, po e keqtrajtonte atë, duke e rrahur.

Më pas, sipas organit të akuzës, ajo u kishte kërkuar atyre që ta vrasin burrin e saj, duke u thënë se nëse ata nuk munden ta bëjnë vrasjen, ajo do ta angazhonte dikë tjetër për ta kryer një gjë të tillë.

Në dispozitivin e aktakuzës thuhet se i akuzuari Murat Ademi, i shtyrë nga e akuzuara Bytytqi,  ka shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Fadil Fetiu, ku i ndjeri po punonte në instalimet elektrike dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit e ka rrëmbyer tani të ndjerin.

Tutje, në aktakuzë thuhet se Murat Ademi e ka lidhur viktimën dhe e ka dërguar në një vend të panjohur ku e priste i akuzuari tjetër Reshat Ademi dhe më pas të dytë e kanë goditur atë me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit pasi e kanë rrahur viktimën, të njëjtin e kanë mbytur duke ia vënë zjarrin dhe më pas e kanë groposur. /BetimipërDrejtësi