02-12-2024

Gjykimi për vrasjen në mënyrë mizore në Suharekë, babai i të ndjerit: Unë du me ditë për çka e kanë vra

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të hënën, në gjykimin për vrasjen mizore të 2016-ës në Suharekë, babai i të ndjerit A.B, Avdi Bytyqi është shprehur i frustruar ndaj të akuzuarve Murat Ademi, Fadil Fetiu, Resmije Bytyqi dhe Reshat Ademi, duke thënë se dëshiron të kuptojë se përse e kanë vrarë djalin e tij. Ai kundërshtoi edhe mbrojtjen e të akuzuarve.

“Unë i kundërshtoj avokatë që këqyrin me mbrojt nis e sos, kërkund këta se dinë ma mirë se unë këtë. Që sa kohë, që 7 vjet qeto fjalë janë tu i përdorë, veç tu këqyr tu ba dredhina. Dredhina le të bëjnë sa dojnë këta, unë du me ditë për çka e kanë vra, për çka…nuk i dinë këta fajet, po për qato ..që 7 vjet na keni prish bre, na keni prish krejt…qeta po kush, qeta qetu, u repëm tu ardhë këtu, qato fjalë, qato fjalë, s’po dijnë ku me ja lidhë krytë”, tha Bytyqi.

Ai shtoi se të akuzuarit i njeh shumë mirë katër të akuzuarit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Të katërtit e kanë barabartë se i njoh, tanë i njoh ma mirë se ju, tanë kta. Ai me ma çu prej buke mua djalin, majmuni thiut, që 10 minuta e ka shpijën larg prej meje, krejt e dijnë…po të ju kisha… dje evladin e juj shka m’thoni, hajde m’kallzoni mu”, shtoi ai.

E për këto deklarime, kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani i ka tërhequr vërejtjen të dëmtuarit Bytyqi.

I dëmtuari Bytyqi ka kundërshtuar deklarimet e avokatëve mbrojtës të të akuzuarve Murat Ademi, Fadil Fetiu dhe Resmije Bytyqi, avokatët Florin Vërtopi, Sefer Morina dhe Durim Nevzati si dhe prokurorit Genc Nixha.

Kjo pasi të njëjtit kanë paraqitur mospajtime sa i përket leximit të deklaratave të dëshmitarëve Naim Grulaj, Eleonit Bytyqi, Armend Bytyqi dhe Bajram Ademi dhe deklarimit të të akuzuarit Murat Ademi.

Prokurori Nixha  dhe avokati Vërtopi kanë propozuar që deklaratat e dëshmitarëve të lartcekur të lexohen.

Këto propozime, pjesërisht i kanë kundërshtuar avokatët Nevzati dhe Morina, të cilët kanë kërkuar që deklarata e dëshmitarit Armend Bytyqi të mos lexohet, por i njëjti të ftohet dhe të dëgjohet përsëri pasi e kanë cilësuar si dëshmitar jokredibil. Kurse, avokati Nevzati ka propozuar që dëshmitari Eleonit Bytyqi të dëgjohet përsëri në cilësi të të dëmtuarit.

Pas kësaj, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Artan Sejrani ka vendosur që deklaratat e dëshmitarit Naim Grulaj të dhëna më 26 dhjetor dhe 21 janar 2021 të lexohen, si dhe deklaratat e dëshmitarit Bajram Ademi të dhëna më 26 dhjetor 2017 dhe 9 shtator 2020, pranë kësaj gjykate.

Kurse, gjykatësi Sejrani ka vendosur që për dy dëshmitarët Bytyqi të kërkohet vendndodhja e tyre nga Stacioni Policor në Suharekë.

Tutje, në këtë seancë, avokati Vërtopi ka bërë edhe disa propozime dhe atë, propozimin për dëgjimin në cilësi të dëshmitarit Driton Fondaj, sigurimin e deklaratës së dhënë nga i akuzuari Fadil Fetiu në Qendrën e Paraburgimit në Prizren më 14 nëntor 2016, sigurimin e raportit të forenzikës nga Agjencion Kosovar i Forenzikës (AKF) për DVR (Diviarin) dhe CD e siguruar nga restoranti “Bunari”, dosjen për atentatin e parë ndaj të ndjerit Bytyqi në vitet 2013-2014, raportin e këqyrjes së vendit të ngjarjes në shtëpinë e të akuzuarit Fetiu më 21 tetor 2016.

Kurse, i akuzuari Murat Ademi është shprehur se sigurimi video-incizimit do të bënte që të zbulohet e vërteta e ditës kritike, se ku kanë qenë të akuzuarit Ademi, Fetiu dhe Bytyqi.

Lidhur me propozimet e avokatit Vërtopi, gjykatësi Sejrani ka thënë se do të vendoset pas marrjes së mendimit të prokurorit Nixha dhe avokatit Nevzati.

Seancat e radhës për këtë rast janë caktuar të mbahen më 14 dhe 27 nëntor 2023, si dhe 13 dhe 19 dhjetor 2023.

Për herë të parë nga Gjykata Themelore në Prizren, më 21 tetor 2019 të akuzuarit Murat Ademin, Resmije Bytyqin dhe Fadil Fetiun i kishte shpallur fajtorë, ndërsa Reshat Ademin e kishte liruar nga akuza, mirëpo aktgjykimin e Themelores e kishte anuluar Gjykata e Apeli dhe rastin e kishte kthyer në rigjykim.

Gjykata e Apelit, për herën e dytë këtë rast më 29 gusht 2022 e ka kthyer në rigjykim duke anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren, me të cilin aktgjykim kjo gjykatë i kishte shpallur për herë të dytë fajtorë Murat Ademin, Resmije Bytyqin, Fadil Fetiun, ndërsa Reshat Ademin e kishte liruar nga akuza.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, Murat dhe Reshat Ademi, më 6 tetor 2016, pas marrëveshjes paraprake, kanë privuar nga jeta, në mënyrë mizore tani të ndjerin Abedin Bytyqi, kurse Resmije Bytyqin akuzohet për shtytje në kryerjen e vrasjes.

Fadil Fetiu fillimisht akuzohej për moslajmërim të veprës penale, mirëpo, më 7 maj 2019, ishte ndryshuar aktakuza ndaj Fetiut, ashtu që të njëjtin prokuroria e ngarkon me veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë.

Sipas aktakuzës, vëllezërit Ademi, janë takuar gjatë vitit 2016 me të akuzuarën Resmije Bytyqi, të cilën e kanë vajzë të axhës dhe ajo u është ankuar atyre se bashkëshorti i saj, viktima, po e keqtrajtonte atë, duke e rrahur.

Më pas, sipas organit të akuzës, ajo u kishte kërkuar atyre që ta vrasin burrin e saj, duke u thënë se nëse ata nuk munden ta bëjnë vrasjen, ajo do ta angazhonte dikë tjetër për ta kryer një gjë të tillë.

Në dispozitivin e aktakuzës thuhet se i akuzuari Murat Ademi, i shtyrë nga e akuzuara Bytyqi, ka shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Fadil Fetiu, ku i ndjeri po punonte në instalimet elektrike dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit e ka rrëmbyer tani të ndjerin.

Tutje, në aktakuzë thuhet se Murat Ademi e ka lidhur viktimën dhe e ka dërguar në një vend të panjohur, ku e priste i akuzuari tjetër Reshat Ademi dhe më pas të dy e kanë goditur atë me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit pasi e kanë rrahur viktimën, të njëjtin e kanë mbytur duke ia vënë zjarrin dhe më pas e kanë groposur. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.