19-04-2024

Gjyqtari e refuzon pranimin e fajësisë nga dy prej tre të akuzuarve për sulm ndaj policëve

Në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Suharekë, gjyqtari i çështjes, Qemail Suka ka refuzuar pranimin e fajësisë nga të akuzuarit Kastriot dhe Shkodran Morina të cilët nga Prokuroria Themelore në Prizren po akuzohen se i kanë sulmuar zyrtarët policorë gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, bashkë me këta të fundit akuzohet edhe Dibran Morina, i cili është deklaruar i pafajshëm, raporton “Betim për Drejtësi”.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Naim Gashi dhe pas pyetjes nga ana e gjyqtarit se “a e ndjeni veten fajtorë për veprën e kryer”, të akuzuarit Shkodran dhe Kastriot Morina janë deklaruar se “e ndjejmë veten fajtorë”, ndërsa i akuzuari Dibran Morina rreth fajësisë është deklaruar se “nuk e ndjej veten fajtorë”.

HH

Gjyqtari i çështjes, Qemail Suka ka refuzuar pranimin e fajësisë, me arsyetimin se të akuzuarit gjatë pranimit të fajësisë kanë pasur mëdyshje rreth pranimit ose mos pranimit të fajësisë.

Andaj, i njëjti i ka informuar të akuzuarit se brenda afatit ligjor, nga 30 deri në 40 ditë, kanë të drejtë të parashtrojnë kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, ndërsa shqyrtimin e dytë të aktakuzës e ka caktuar më 5 maj 2021 në ora 9:30.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të akuzuarit Kastriot, Dibran dhe Shkodran Morina po akuzohen se më 2 prill 2020 rreth orës 18:30, në oborrin e shkollës fillore “Flamuri i Arbërit” të pandehurit në bashkëveprim, me dashje, sulmojnë personat zyrtar Arianit Duriqi dhe Ardian Krasniqi, të cilit ishin në kryerje të detyrës zyrtare, pasi i vërejnë të akuzuarit se ishin duke ndenjur ne oborrin e shkollës, pas tërheqjes së vërejtjes që të respektohet vendimi i qeverisë për karantinim, të njëjtit duke mos zbatuar urdhrat e zyrtarëve policorë, fillojnë të ofendojnë zyrtarët policorë duke rezistuar në arrestim, ashtu që i pandehuri Kastriot Morina e sulmon fizikisht të dëmtuarin Arianit Duqiri duke ia shqyer uniformën e pastaj me grushta e godet në qafë në anën e djathtë.

I pandehuri Dibran Morina me dashje e sulmon fizikisht të dëmtuarin Ardian Krasniqi duke e goditur me duar në gjoks dhe gërvishtur në pjesën e qafës, ku aty vjen edhe i pandehuri Shkodran Morina i cili duke tentuar që ta merr të pandehurin Dibran me dashje e sulmon fizikisht të dëmtuarin Ardian Krasniqin.

Andaj, me këto veprime në bashkëkryerje akuzohen se kanë kryer veprën penale “sulmi ndaj personit zyrtar” nga neni 402 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 2, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.