19-05-2024

Gratë deputete bisedojnë me asamblistet prizrenase për fuqizimin e rolit të femrave

Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me organizatën UNFPA, të martën, ka mbajtur një takim në Prizren, ku është diskutuar për shkëmbimin e përvojave në mes nivelit qendror dhe atij lokal.

Pjesë e këtij takimi, përveç grave deputete, ishin edhe këshilltare komunale dhe zyrtare të komunave të regjionit të Prizrenit dhe pjesëtare të shoqërisë civile.

Deputetet, Saranda Bogujevci nga LVV dhe Teuta Haxhiu nga AAK, thanë se pozita e gruas në vendimmarrje mbetet sfidë e vazhdueshme për gjininë e bukur, dhe kërkuan që gratë e përfaqësuara në institucione, duhet të kenë vetëvbësim në profesionin që kanë dhe në udhëheqje, dhe kërkuan më shumë unitet rreth fuqizimit të rolit të gruas pikërisht nga gratë.

Ndërsa, një unitet më të theksuar për respektim të të drejtave të grave, kërkuan edhe deputetet prizrenase, Luljeta Veselaj- Gutaj nga PDK, dhe Albulena Balaj- Halimaj nga nisma Socialdemokrate. Ndërkaq, kryetarja e grupit të grave kuvendare në Prizren, Sadije Osaj-Jakupi, e vlerësoi të rëndësishëm këtë takim, duke thënë se pavarësisht sfidave, do të angazhohemi maksimalisht në përmirësimin e pozitës së gruas në shoqërinë tonë, theksoi ajo.

Ndërkaq, se si është gjendja aktuale në disa zona të Prizrenit që kanë të bëjnë me barazinë gjinore dhe rolin e gruas në vendimmarrje, e paraqiti të vështirë, Lindita Kozmaqi- Piraj, zyrtare per Barazi Gjinore në Dragash.

Në këtë takim , gjithashtu kanë diskutuar edhe pjesëmarrëse të tjera, të cilat kanë paraqitur shqetësimet rreth temës së këtij takimi, si dhe janë dhënë rekomandime për zgjidhjen e problemeve të ngritura./tvpz

Asnjë koment

Comments are closed.