23-11-2024

Grenell: Kosova duhet ta forcojë drejtësinë vendore, jo t’i çojë njerëzit në Hagë


Ish-ambasadori i SHBA-së në Berlin dhe emisari i Donald Trumpit për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, në një diskutim online të mbajtur në fillim të dhjetorit, ka thënë se Kosova duhet të punojë që sundimi i ligjit të funksionojë brenda shtetit, dhe jo t’i delegohet dikujt jashtë, duke përmendur shembullin e Gjykatës së Hagës. Ai, gjithashtu, ka thënë se rajoni i Ballkanit duhet të kalojë “fazën emergjente” dhe SHBA-ja më pas të rikonsiderojë prezencën ushtarake dhe t’i tërheqë 600 ushtarët që shërbejnë që nga viti 1999.

Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Gjermani dhe i dërguari special i Presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, në fillim të dhjetorit ka zhvilluar një diskutim online me anëtarët e Qendrës për Marrëdhënie dhe Politika Ndërkombëtare që funksionon në kuadër të Institut për Politika dhe Strategji. Në të Grenell ka folur për raportet Prishtinë – Beograd teksa ka thënë se njerëzit nuk duhet të zvarriten në të kaluarën, shkruanThe Tartan, transmeton Gazeta Express.

Grenelli ka thënë se prej kohës kur ka qenë shumë i afërt me Presidentin Trump dhe me Sekretarin e Shtetit, të dyja palët e bisedimeve i janë afruar atij dhe kanë shprehur dëshirë për vëmendje të nivelit të lartë gjatë negociatave.

Ai ka shtuar se palët kanë diskutuar për rritjen në të ardhmen dhe zhvillimin ekonomik, veçanërisht për zemërimin që kanë për mungesën e fokusit në zhvillimin e rajonit.

Më tutje, ai e ka pranuar se palët nuk kanë qenë afër arritjes së marrëveshjes politike dhe për këtë arsye, fokusi i ekipit të tij ka qenë në ekonomi.

“Ne nuk ishim në atë pikë që të krijonim një zgjidhje politike”, citohet të ketë thënë Grenelli, duke shtuar se ekipi i tij u përqendrua te rritja ekonomike, më saktësisht në krijimin e vendeve të punës dhe që, siç u shpreh ai, njerëzit të mos zvarriten në të kaluarën.

Grenelli, gjithashtu, kishte theksuar se negociatat mes palëve ishin të vështira. Sidoqoftë, ai ka potencuar se marrëveshjet për transportin ajror, rrugor dhe hekurudhor janë bazë e mirë për arritjen e marrëveshjeve më të mëdha, si Marrëveshja për Normalizim Ekonomik, e cila, sipas tij, kërkon që Shtetet e Bashkuara të gërmojnë thellë në fondacione.

Ai ka përsëritur se mes Kosovës dhe Serbisë asnjëherë nuk është biseduar për shkëmbimin e territoreve dhe se të dyja palët janë pajtuar për t’i bërë më të llojllojshme burimet e tyre të energjisë.

Grenelli ka thënë se beson që Kosova dhe Serbia duhet të merren vetë me sistemet e tyre të drejtësisë në mënyrë të brendshme e jo, për shembull, të jenë të lidhura me Hagën.

Sipas tij, kjo do t’i ndihmonte dinamikat politike dhe do të ndikonte në kursimin e të hollave, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar qindra miliona dollarë në gjykata ndërkombëtare.

Duke folur për një “konflikt të perceptuar”, Grenelli ka thënë se Ballkani duhet të kapërcejë “fazën emergjente” dhe se më pas Shtetet e Bashkuara duhet ta shqyrtojnë zhvendosjen e mbi 600 trupave që ka aktualisht në Kosovë. /GazetaExpress/

Asnjë koment

Comments are closed.