23-11-2024

Greva, shtyhet gjykimi ndaj ish-kryetarit të Dragashit, Salim Jenuzi

Greva e punëtorëve administrativ të Gjykatës Themelore në Prizren, të cilët kërkojnë rritje të pagave, është bërë shkak për shtyrjen e seancës gjyqësore kundër ish-kryetarit të Komunës së Dragashit, Salim Jenuzi, e cila ishte paraparë të mabahej të mërkurën.

Në këtë rast, Jenuzi akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare sa ka ushtruar detyrën e kryetarit të Dragashit.

Po ashtu, në këtë rast akuzohet edhe Nexhat Selaj, për uzurpim të pronës komunale.

Kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi, ka thënë se seancën e ardhës do ta caktojë pasi që të gjejë një datë të përbashkët me anetarët e trupit gjykues dhe do t’i njoftojë palët me kohë.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren pretendon se Salim Jenizin, duke qenë kryetar i Komunës së Dragashit, në periudhën 2009-2016, i ka mundësuar Nexhat Selajt, përvetësimin e pronës komunale, të cilën ky e kishte uzurpuar paraprakisht.

Ndërsa, Nexhat Selaj akuzohet se gjatë periudhës 2009-2016, ka uzurpuar në mënyrë të paligjshme pronën komunale të Komunës së Dragashit, në të cilën ka ndërtuar objekt afarist me karakter të përhershëm, megjithëse kishte leje për shfrytëzim të përkohshëm.

Gjykata Themelore e Prizrenit, më 21 nëntor 2017, ka shpallur fajtor të akuzuarit Jenuzi dhe Selaj por një aktgjykim të tillë e ka prishur Gjykata e Apelit.

Gjykata Themelore në Prizren, kishte dënuar ish kryetarin Jenuzi me një vjet burgim, i cili nuk do të ekzekutohej nëse brenda dy viteve ai nuk kryen vepër të re penale. Ndërsa, Nexhat Selaj, ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht që brenda dy viteve të mos kryeje vepër tjetër penale.

Mirëpo, me 25 janar 2018, Gjykata e Apelit ka vendosur që rasti të kthehet në rigjykim sa i përket të pandehurve Salim Jenuzi dhe  Nexhat Selaj, ndërsa për dy të akuzuarit tjerë, Bean Haxhihasani dhe Vetim Hasani, të cilët ishin liruar nga akuzat, Apeli ka vërtetuar aktgjykimin në fjalë.

Në Aktgjykimin e Apelit thuhet se gjykata e shkallës së parë nuk ka arritur të arsyetojë vendimet për dënimin e të akuzuarve Jenuzi dhe Selaj, duke mos treguar saktësisht veprimet e secilit me qëllim të kryerjes së veprës penale për të cilën akuzohen.

Apeli ka kërkuar që Gjykata Themelore e Prizrenit, gjatë ri shqyrtimit të kësaj çështje penale të arsyetojë ndërlidhjen e provave që përmban aktakuza dhe të tregojë nëse kryetari ka pasur apo jo të drejtë të nënshkruajë lejen në vend të drejtorit komunal që ka munguar.

Poashu Apeli ka kërkuar precizimin e kohës së kryerjes së veprës penale pasi që kanë konstatuar se ish kryetari Jenuzi ka nënshkruar një dokument dhe nuk mund të qëndrojë koha e kryerjes së veprës penale nga 31 gushti 2011 e deri më 2016./betimiperdrejtesi/

Asnjë koment

Comments are closed.