18-05-2024

Hapen korridoret ajrore Kosovë-Shqipëri

Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (AShNA) ka mbajtur ceremoninë e hapjes zyrtare të korridoreve ajrore me Republikën e Shqipërisë.
Pjesëmarrës në këtë ceremoni janë përfaqësues të Ministrive të Republikës së Kosovës; Ambasador të vendeve të QUINT-it dhe Ambasadës së Shqipërisë; përfaqësues të KFOR-it si dhe përfaqësues të avio kompanive në Kosovë.

Marrëveshja me Shqipërinë, për ta shfrytëzuar korridorin ajror të këtij vendi, është arritur në vitin 2020.

Kjo marrëveshje ka paraparë hapjen e dy pikave koordinuese ajrore, Kukës dhe Arbër.

Sipas Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës (AAC), i cili menaxhon hapësirën e ulët ajrore të vendit, marrëveshja nuk është zbatuar për shkak të disa procedurave teknike që është dashur të miratohen nga Shqipëria dhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.

Ndryshe nga hapësira e ulët ajrore e Kosovës që menaxhohet nga AAC-ja, hapësira e lartë – ajo mbi 6.200 metra, e hapur për trafikun komercial nga viti 2014 – është nën kontrollin e Hungarisë, përkatësisht të HungaroControl-it. Kjo, për shkak se Kosova nuk ka arritur ende kapacitete për të menaxhuar hapësirën e lartë ajrore.

Në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por edhe me ligjet e tanishme në Kosovë, komandanti i KFOR-it është përgjegjës për sigurinë e hapësirës ajrore të Kosovës që nga viti 1999.

Për dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” udhëtojnë miliona persona brenda vitit.

Zvicra, Gjermania, Turqia, Austria dhe Mbretëria e Bashkuar kanë qenë, deri më tani, destinacionet më të shpeshta.

 

Asnjë koment

Comments are closed.