Hapet “Dokufesti 2018”
Me një hapje të jashtëzakonshme si asnjëherë më parë që ka përfshirë edhe publikun përmes muzikës me këngë të grupit legjendar “Nirvana”, ka nisur edicioni i 17 i Festivalit ndërkombëtar të “Dokufestit” që sivjet ka për temë reflektimin.
Eroll Shporta hapi festivalin me një fjalim thumbues duke ironizuar me situatën aktuale politike në Kosovë.
“E rëndësishme është që edhe sivjet Dokufesti ka filluar me bereqet. Krejt kjo falë motit me reduktime 4 orë diell, 2 orë shi, u shpreh”, ka thënë Shporta që thumboi edhe politikanët me një tjetër pjesë të fjalimit të tij.
“Si mëlmesë, vetëm për ju mysafirë, kemi emëruar nja 30 zyrtarë të lartë për flladitje, vetëm e vetëm që ju të kaloni sa më mirë”, ka thënë ai.
“E juve ju mbetet vetëm një gjë: të vini ashtu sikurse jeni. Sikurse programi i larmishëm i Dokufest. Hajdeni edhe nëse ju pëlqejnë reflektimet me rreze të gjata, të shkurta, kombëtare apo ndërkombëtare. Nëse jeni gra, fëmijë, pleq, të rritur, radikal, të thjeshtë, të butë, të mençur, sidomos të mençur, apo thjesht dëshironi të reflektoni ‘në temë të lirë’. E ashtu qysh jemi, këtu sonte, ju thërras që ta bëjmë një hapje si asnjëherë në DokuFest”, ka thënë Shporta derisa në sfond filloi kënga “Come as you are” e grupit Nirvana.
Fjalimi i plotë i hapjes së ceremonisë së Dokufestit:
Zonja dhe Zotëri, njerëz të Dokufestit
Mirëmbrama
Me siguri ju kujtohem nga viti i kaluar, pata ardhë nga e ardhmja por mbeta këtu. Arsyja është se nuk mujta me marrë vizën. As termin skom mujt me bo.
Tu prit për një termin tek Ambasada e së Ardhmes në Kosovë, e shfrytëzova rastin me bo dicka që rrallë herë e bëjë: me reflektu mbi dhe për vetën.
Por reflektimi doli të jetë më i zorshëm sesa marrja e vizës. Sidomos kur reflektova për vetën në raport me të tjerët, e pash që nuk jam kërkah. Kam mendu se jam më i bukri, por jo, po flitet se Dua Lipa është më e bukur se unë…FAKE NEWS, FAKE NEWS!
E rëndësishme është që edhe sivjet Dokufesti ka filluar me bereqet. Krejt kjo falë motit me reduktime 4 orë diell, 2 orë shi. Për këtë qeshtje jemi në bisedime për shkëmbimin e rreve me diell dhe së shpejti do të vijn rezultatet pozitive ku reduktimet priten të bëhen së paku 8 me 2.
Përveq nisjes me bereqet, Dokufest ka edhe një risi tjetër. Organizimi sivjet ka arritur kulmin e menaxhimit. Përpos vullnetarëve do të kemi edhe zëvëndësvullnetarët. Secili vullnetar do ta ketë nga një apo më shumë zavëndës. Pse vullnetari me u kujdes për bileta e mos me pas një zavëndës që shkon me ble naj ujë a naj qebap.
Si mëlmesë, vetëm për ju mysafirë, kemi emëruar nja 30 zyrtarë të lartë për flladitje. Krejt kjo, vetëm e vetëm që ju të reflektoni sa më mirë, sa më thellë dhe me nxjerrë produkt nga ky reflektim.
E juve ju mbetet vetëm një gjë: të vini ashtu sikurse jeni. Sikurse programi i larmishëm i Dokufest. Hajdeni edhe nëse ju pëlqejnë reflektimet me rreze të gjata, të shkurta, kombëtare apo ndërkombëtare. Nëse jeni gra, fëmijë, pleq, të rritur, radikal, të thjeshtë, të butë, të mencur, sidomos të mencur, apo thjesht dëshironi të reflektoni “në temë të lirë”.
E ashtu qysh jena, këtu sonte, ju thërras që ta bëjmë një hapje si asnjëherë në DokuFest.
So, Come as you are and sing with us…
….I’ll be your mirror…/koha.net