02-11-2024

“Hapet” kryetari prizrenas, Haskuka

Kryetari prizrenas,  Mytaher Haskuka ka lejuar sot hapjen e mbledhjeve të ekzekutivit, të cilat prej formimit të qeverisjes së tij i ka mbajtur pa praninë e medieve.

 

Në ndryshimin e vendimit të Haskukës, duket se ka ndikuar reagimi i mediave, të cilat ndër tjera ia kanë kujtuar atij premtimin e dhënë gjatë fushatës zgjedhore, lidhur me transparencën.

 

Mediat janë ftuar ta përcjellin takimin që mbajti të martën qeveria lokale.

 

Presioni për ndryshimin e vendimit  të Haskukës, që të lejohet prania e gazetarëve gjatë mbledhjes, në të cilën zakonisht  “thyen shtizat” rreth përcaktimit  të prioriteteve në realizimin e projekteve të komunës, ka nisur qysh kur u kuptua se mediet po anashkalohen.

 

Ndonëse autoritetet lokale janë munduar të arsyetohen duke thënë se do të njoftojnë më shkrim për vendimet e marra gjatë mbledhjes së ekzekutivit, prania e mediave në takime të tilla është e rëndësishme për të parë edhe reagimet e drejtorëve nga partitë në koalicion, por edhe të vetë Haskukës, lidhur me projektet e propozuara.

 

Pas mbledhjes e sotme të Kolegjiumit të Drejtorëve, Haskuka  i tha portalit “Gazeta e Prizrenit.net”  se tashmë mbledhjet do të jenë të hapura.

 

Edhe ish-kryetari Ramadan Muja njëherë pat provuar t’i mbyll takimet me bordin e drejtorëve komunal, por pas një presioni të shoqërisë civile dhe të medive, ai u detyrua t’i rihap takimet me këshilltarët e tij.

 

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.