18-04-2024

Prizren: Zyrtarët pranojnë gjendjen alarmante nga qentë endacakë

Autoritetet prizrenase e kanë vlerësuar si alarmante praninë e qenve endacakë.

 

Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, gjatë mbledhjes së ekzekutivit lokal ka kërkuar mundësinë e gjetjes për ndërhyrje sa më të shpejtë për trajtimin e qenve të kësaj kategorie, numri i të cilëve, siç ka thënë  është rritur dukshëm.

 

“Kohëve të fundit është krijuar një shqetësim i madh tek qytetarët. Kjo situatë është evidente edhe prej Qendrës së Thirrjeve ku kemi në vazhdimësi thirrje dhe mesazhe për këtë dukuri alarmante”, ka thënë ai, teksa ka kërkuar edhe fonde nga resorët tjerë e sidomos nga Drejtoria për Emergjencë për të ndërhyrë, derisa kjo të nis nga niveli qendror raporton Gazeta e Prizrenit.

 

Ai ka thënë se sipas ligjit, trajtimi i qenve endacakë i takon nivelit qendror, prandaj zyrtarët në Komunë vazhdimisht kanë kontaktuar zyrtarët përgjegjës nga niveli qendror me qëllim që sa më shpejt të gjendet një zgjidhje.

 

“Me sa kam informata qenkan disa OJQ- të cilat merren me strehimin e  qenve, prandaj duhet shikuar mundësitë financiare, për të vepruar, pasi situata është keq, sidomos në lagjen “Bajram Curri” , por edhe në shatërvan”, ka thënë ai.

 

Drejtori për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural (DBPZHR), Egzon Elshani, në sektorin e të cilit bie çështja e qenve endacakë, ndërkaq ka thënë se nga informatat që ka prej nivelit qendror, tashmë është përcaktuar fituesi i tenderit dhe se sot do të nënshkruhet kontrata për realizimin e projektit të trajtimit të qenve të kësaj kategorie. “Ndoshta javën e ardhshme do të fillojë trajtimi i tillë”, ka thënë ai.

 

Përndryshe, sipas përgjegjësive në nivel komunal është ndarë një tjetër buxhet i cili ka të bëjë me zvogëlimin e numrit të qenve endacakë. Ky buxhet do të shërbej për zënien, kastrimin, sterilizimin, vaksinimin, dehelmentizimin, identifikimin dhe lëshimin e tyre, në përputhje me ligjin në fuqi për përkujdesjen ndaj kafshëve.

 

Për këtë Komuna e Prizrenit ka 45 mijë euro.

 

Shqetësimin për shtimin e numrit të qenve endacakë në Prizren, disa ditë më parë e ka ngritur portali informativ “Gazeta e Prizrenit.net”

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.