24-11-2024

Haradinaj kthehet në Prishtinë, ka një porosi për ata që thonë se po e shkelë kushtetutën

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj është kthyer nga Haga. Ai ka mbërritur në Prishtinë. Përmes një postimi me fotografi në llogarinë e tij në rrjetin social facebook, ai ka shkruar se nesër do të  vazhdojë punën, dhe se nuk do të lejojë vakum.

Postimi i tij i plotë:

“Sapo u ktheva nga Haga, e nesër vazhdojmë me punë. Pas dorëheqjes sime kam kryer obligimin ligjor pranë Prokurorisë së Dhomave të Specializuara. Pafajësinë time nuk mund ta vë në pikëpyetje askush. I kthehem obligimeve të mia në Kosovë. Vendimi im për dorëheqje dhe veprimet e mia të fundit janë porosi se çfarëdo abuzimi ndaj Kosovës, që vjen, nuk do të na lëkundë nga e drejta jonë sovrane. Kufijtë e Kosovës nuk guxon t’i prekë askush. Kosovës nuk mund t’i imponohet Dodik Republika. Tregu për njohje po, e taksa deri në njohje. Dialog pa kushte, po menjëherë.

Të dashur qytetarë,

Dëgjoj zëra se kryerja e detyrave qeverisëse pas dorëheqjes, është jo kushtetuese. Si Qeveri në dorëheqje, ashtu siç e kam cekur edhe në vendimin tim për dorëheqje, do t’i kryejë detyrat, se nuk guxoj të lë vakuum qeverisës, sepse Kosova nuk mund t’i bartë pasojat e vakuumit qeverisës. Me respekt për ta, palët që mendojnë ndryshe i ftoj t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. Çfarëdo që të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese do ta respektoj. Na priftë e mbara!”ka shkruar ai. /GazetaePrizrenit.net /

Asnjë koment

Comments are closed.