23-11-2024

Haradinaj në Prizren: Kosova mund të llogaritë në miqësinë me Turqinë

Kryeministri Ramush Haradinaj ka marrë pjesë në Ekspozitën e Artizanaleve nga Shajaku, që u organizua nga organizata e grave “Orkide”, në Prizren.

Ai tha se është i gëzuar që sheh një bashkëpunim ndërmjet shumë organizatave dhe grave të Prizrenit, për të cilën tha se është një porosi e mirë e ruajtjes së traditës së Shajakut, por dhe për të krijuar shpresë për vende të punës në të ardhmen, njofton Klan Kosova.

“Kosova është shembull i bashkëpunimit të komuniteteve dhe ju mund të llogaritni në miqësinë tonë me Turqinë. Populli i Kosovës është falënderues për përkrahjen e Republikës së Turqisë dhënë Kosovës”.

“Jemi një vend i vogël me shumë sfida, që synojmë anëtarësimin në Evropë dhe NATO dhe nuk është e lehtë për një vend të vogël si Kosova. Kemi nevojë për më shumë njohje të vendeve të botës, por gjithë e dimë se Kosova nuk e harron ndihmën, përkrahjen dhe respektin që na bëhet”.

Haradinaj në shenjë mirënjohje kryetares së organizatës së grave “Orkide”, Sevgi Kervan, i ka dhuruar librin “Kosova”, në të cilën është e përmbledhur e gjithë pasuria e Kosovës.

Në fjalën e saj kryetarja e organizatës së grave “Orkide”, Sevgi Kervan, falënderoi kryeministrin për pjesëmarrjen në këtë ekspozitë.

Nga një fjalë e kanë mbajtur edhe ambasadori i Turqisë në Kosovë, Çagri Sakar dhe deputeti Fikrim Damka.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin edhe përfaqësues të tjerë të institucioneve lokale e qendrore.

Asnjë koment

Comments are closed.