Haradinaj në Suharekë: Ka potencial zhvillimi, përkrahja e Qeverisë s’do të mungojë
Pas Vushtrrisë dje, kryeministri Ramush Haradinaj sot ka zhvilluar një vizitë punë në komunën e Suharekës.
Ai pas takimit me kryetarin e kësaj komune Bali Muharremaj ka thënë se kanë biseduar për veprimet që Qeveria mund t’i ndërmarrë për të mbështetur bizneset lokale.
“Biseduam për zhvillimin ekonomik komunal lokal, ekonomitë e këtushme, bizneset, marrëdhënien mes qeverisjes qendrore dhe asaj lokale, sipërmarrësve, jo vetëm ato që janë akte administrative dhe politika fiskale, por edhe veprime konkrete të Qeverisë që mund të ndërmarrë në përkrahje qoftë për Zonat Industriale ose pronat që i janë kthyer komunës dhe veprime të tjera që shkojnë direkt në përkrahje të prodhuesve”.
Shefi i Qeverisë ka thënë se ky është viti i ekonomisë dhe është me rëndësi që të ruhet fokusimi te prodhimi dhe kapacitetet ekonomike.
Haradinaj ka folur edhe për lehtësirat që kjo komunë u ka ofruar mërgimtarëve.
“Një temë tjetër që e diskutojmë këto ditë është ardhja e bashkatdhetarëve tanë dhe kthimi i tyre në familje”.
“Edhe në Suharekë ka një program që është vërtetë simpatik. Është liruar parkingu për ta, janë zgjatur orët e punës, është shtuar personeli si dhe është mundësuar nxjerrja e certifikatës së lindjes me procedura më të lehta”.
Kryeministri Ramush Haradinaj ka shkruar edhe në Facebook lidhur me vizitën e tij sot në Suharekë.
“Komuna e Suharekës po dëshmon një dinamikë të hovshme zhvillimore. Vizitë pune në Suharekë, për të parë nga afër progresin e kësaj komune, në infrastrukturë dhe dinamizim të prodhimit vendor”.
“Me kryetarin Bali Muharremaj diskutuam për bashkërendimin e veprimeve të dy niveleve të qeverisjes për tërheqjen e investimeve të jashtme, për avancimin e ligjeve dhe akteve nënligjore që janë të nevojshme dhe mungojnë si dhe në kthimin e pronave nga AKP në Komuna për zhvillim ekonomik lokal dhe në interes publik. Me 164 biznese prodhuese, 2497 biznese aktive, Suhareka ka potencial zhvillimi dhe përkrahja e Qeverisë në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm të kësaj komune nuk do të mungojë asnjëherë”, ka shkruar ai.