Gjatë pasdites të së shtunës, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar takime me banorë të komunitetit boshnjakë në zonën e Zhupës së Prizrenit, duke zhvilluar biseda për shumë çështje që i preokupojnë ata.
Pjesë e këtyre takimeve, ishin edhe ministra, zv/ministra e deputetë të partive të këtij komuniteti. Ministri për Zhvillim Rajonal, Rasim Demiri, tha se ndër shqetësimet kryesore të banorëve të kësaj zone, është çështja e decentralizimit, ndërtimi i hidroecentraleve, përmirësimin i infrastrukturës rrugore dhe asaj turistike. “ Komuniteti boshnjak po përballet me disa sfida në këtë pjesë të vendit. Çështja e decentralizimit është ndër shqetësimet kryesore. Ndërtimi i hidrocentraleve në burimet ujore është ndër shqetësimet tjera kryesore.
Gjithashtu, gjendja e infrastrukturës rrugore nuk është në nivel të duhur, dhe se përmirësimi i saj ndikon edhe në zhvillimin e turizmit. Këto janë kërkesat ndër më kryesore të të gjithë banorëve, dhe meritojnë një vëmëndje të theksuar nga institucionet e Kosovës, sepse kemi dhënë kontribut në shpalljen e Pavarësisë së vendit”, tha ministri Demiri.
Kryeministri, Ramush Haradinaj, tha se institucionet e vendit janë të përkushtuara që të ofrojnë mbështetje për zgjidhjen e shumë problemeve që i preokupojnë edhe pjesëtarët e komunitetit boshnjak, duke dhënë përgjigje edhe në shqetësimet e ngritura gjatë takimeve të së shtunës. “ Jemi shumë të interesuar për zhvillimin e sektorit të turizmit në këtë pjesë, sepse për një gjë të tillë ekziston potencial i jashtëzakonshëm. Personalisht, jam për themelimin e komunave , e pse jo edhe për atë që ju kërkoni.
Sa i përket çështjes së ndërtimit të hidrocentraleve, mund të them se për këtë do të angazhohemi me seriozitetin më të lartë të mundshëm për ta shqyrtuar hollësisht, dhe se nuk do të lejojmë që asnjë investim i dëmshem për komunitetin nuk do të jetë i pranueshëm”,tha ai.
Kryeministri, Ramush Haradinaj, gjatë këtyre takimeve, foli edhe për situatën aktuale politike në vend, konkretisht rreth zhvillimeve të fundit që kanë të bëjnë me dialogun Kosovë- Serbi, duke thënë se te dyja palët duhet të arrijnë marrëveshje paqësore me njohje të dyanshme, në shërbim të zhvillimit të të dyja vendeve, dhe se ideja e shkëmbimit të territoreve po i ngjanë marrëveshjeve tregtare , dhe si të tilla wshtw e papranueshme, tha kryeministri Haradinaj./tvprizreni