Has / Prizren: 47-vjeçari has në granata dore e municion duke ia vënë themelet shtëpisë
Një rast jo fort i zakontë ka ndodhur dje në fshatin Gorozup të Prizrenit, ku një 47-vjeçar ka gjetur mjete të pashpërthyera, derisa po kryente punimet në shtëpinë e tij, raporton Gazeta Sinjali.
Siç mëson Sinjali, pronari i shtëpisë ka qenë duke ia vënë themelet shtëpisë, në momentin që ka gjetur mjetet e dyshimta dhe një sasi të madhe të municionit. Për shkak të rrezikut që mund t’i kanosej, ai ka njoftuar Policinë, me ç’rast njësitë përkatëse kanë intervenuar.
Njësiti EOD i Forcës së Sigurisë së Kosovës ka dalë në vendin e ngjarjes ka larguar 3 granata dore dhe municion, që sipas informacioneve të para besohen të jenë rreth 2 mijë copë të kalibrave të ndryshëm.
Pas sigurimit të vendit ku u gjetën mjetet e dyshimta, është kontrolluar lokacioni në tërësi dhe është udhëzuar pronari i shtëpisë që t’i ndalojë punimet derisa të bëhen edhe ekzaminimet tjera në vendin e ngjarjes.