Hasani: Kurtit i mundësohet të jetë kryeministër, por dikush mund ta çojë në Kushtetuese

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani në lidhje direkte në Frontal të T7 ka thënë se me Aktgjykimin e sotëm të Kushtetueses Albin Kurtit i mundësohet të jetë kryeministër nëse Vetëvendosje i fiton zgjedhje. Megjithatë, ai shton se ka hapësirë që dikush ta dërgojë zgjedhjen e tij në Kushtetuese.

“Po, sepse ky Aktgjykim s’ka qenë objekt shqyrtimi çështja e Kryeministrit, por, tash është një rreth vicioz i pafund. Sipas këtij Aktgjykimi, nesër tash e luan lojën dikush tjetër e ngrit çështjen e tij, si kryeministër, dhe tash urdhëro i thotë me këtë logjikë, me këtë Aktgjykim në çdo funksion publik mund të eleminohesh prej sistemit”

“Nëse bëhet kryeministër, dikush ka me shku me e dërgu sërish në Gjykatë. Unë e kam problem me kuptu, këtu më s’ka siguri juridike”, ka thënë Hasani në pyetjen se a i mundësohet të jetë kryeministër nëse Vetëvendosja fiton.

Profesori Enver Hasani për Gazetën Express ka deklaruar gjatë ditës se Aktgjykimi është siç e ka pritur dhe se Kurti nuk mund të kandidojë për deputet.

“Aktgjykimi është ashtu siç kam thënë dhe siç është pritur. Asgjë e re. Do të thotë Albin Kurti nuk mund të kandidoj për deputet sipas pjesës dispozitive të Aktgjykimit dhe paragrafit nr. 260 si dhe askush tjetër që ka dënim për fajësi penale të formës së prerë”, ka thënë Hasani në pyetjen se a ka të drejtë ish-kryeministri Kurti të kandidojë për deputet në zgjedhjet e ardhshme. /GazetaExpress/