20-05-2024

Haskuka bën thirrje për kujdes me ofertat për punë në Gjermani

Autoritetet lokale të Prizrenit u kanë bërë thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm në raport me ofertat për punësim në Gjermani, ashtu që të mos bien pre e propagandave për paga të larta.

Ata kanë pranuar se takimi informues për punësim në Gjermani i mbajtur pak ditë më parë në Prizren, ka lënë nën hije Panairin e Punës së organizuar nga institucionet vendore dhe GIZ-i, por megjithatë kanë theksuar se në këtë panair ka pasur oferta për punë me paga të mira, shkruan sot Koha Ditore.

“Panairi ynë ka qenë për punë në Kosovë dhe ofertat kanë qenë jo vetëm për punë të thjeshta, por edhe për punë në sektorin e teknologjisë informative e sektorë të tjerë dhe me paga të mira. Ndërsa çështja e takimit informues në Shtëpinë e Kulturës, duhet shikuar edhe në aspektin sociologjik edhe në aspektin e problemit të përgjithshme të Kosovës, sepse aty ka pas njerëz nga Komuna të ndryshme të Kosovës. Me sa e kam parë është pjesë e trendit për me ik nga Kosova disi. Por i kisha lutur qytetarët që të kenë kujdes, se me sa po e shoh kompania në fjalë nuk ekziston në letra. Po ashtu të rinjtë po bien pre e propagandave për rroga të larta”, ka thënë kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.

Ai ka shfaqur besimin se nëse punohet mirë edhe Kosova ka perspektivë për zhvillim.

Asnjë koment

Comments are closed.