24-01-2021

Haskuka deklarohet rreth gjendjes pas reshjeve në Prizren

Kryetari prizrenas, Mytaher Haskuka përmes një postimi në facebook ka shkruar për gjendjen në komunë pas të reshurave të shumta të shiut e borës.

Postimi i plotë

Pas të reshurave që vazhduan gjithë javën, dje në orët e pasdites Komuna e Prizrenit është njoftuar nga banorët e zonave të prekura për vërshime në pjesë të ndryshme të territorit të komunës së Prizrenit.

Sipas raportit të Drejtorisë për Emergjenca dhe Siguri, zonat më të prekura kanë qenë në Piranë, Zojz, Krajk, Bregdri dhe Romajë, ku uji ka vërshuar disa podrume të shtëpive dhe fermave të bagëtive.

Në Lubizhdë të Prizrenit, uji ka dalë mbi shtratin e vet dhe ka rrezikuar disa fabrika që gjenden përreth magjistrales Prizren – Suharekë, ku në këtë pjesë drejtoria ka intervenuar me kompanitë e kontraktuara dhe ka parandaluar vërshimet dhe dëmet e mundshme në shumë biznese.

Përkundër punës së Drejtorisë së Shërbimeve Publike, që në muajt e fundit kanë punuar në hapjen e pusetave dhe mirëmbajtjen e rrjeteve të kanalizimit, dje është vërejtur që rrjeti i kanalizimit atmosferik ka qenë i pamjaftueshëm edhe në lagjet Bazhdarhane, Jeta e Re dhe Bajram Curr, ku ka pasur bllokime të rrjetit të kanalizimeve, dhe në këto lagje është intervenuar përmes kompanive Hidroregjioni Jugor, Eko Regjoni, Brigada e Zjarrfikësve të Prizrenit si dhe kompanitë private të kontraktuara nga komuna. Me këto intervenime, në një pjesë të këtyre lokacioneve, janë zhbllokuar kanalizimet dhe është siguruar qarkullim i lirë i ujit.

Gjatë ditës së sotme ekipet e Zjarrfikësve, Hidroregjoni dhe kompanitë tjera janë në teren në disa lokacione, duke bërë sanimin e gjendjes së krijuar si pasojë e dëmtimeve të mbrëmshme në: Romajë, Tusuz, Piranë, dhe Zojz.

Nga analizat e mëparshme të vërshimeve, ekspertët kanë potencuar problemin e ndërtimeve në rrjedha të lumenjve, gjersa në luginën e Drinit të Bardhë një problem shtesë paraqesin edhe operatorët që eskavojnë zall nga shtrati i lumit.

Me këtë rast dua të falënderoj gjithë punëtorët e Komunës dhe të kompanive, si dhe zjarrfikësit e Komunës sonë për punën e palodhshme gjatë këtyre ditëve. Me shpresë që mos të kemi të lënduar dhe viktima si dhe me sa më pak dëme materiale!

Tanimë këto vërshime, që janë duke ndodhë disa herë në vit, janë duke vërtetuar që efektet e ndryshimeve klimatike janë realitet dhe duhet të punojmë në kohë afatgjate për t’u përgatitur në aspektin infrastrukturor dhe zhvillimor. Komuna e Prizrenit është komuna e parë që në bashkëpunim me UNDP është duke implementuar strategjinë për ndryshimet klimatike me shumë aktivitete, të cilët do të vazhdojnë me Zyrën për Zhvillim të Gjelbër.

Në këtë aspekt duhet të theksohet se përkundër reshjeve të mëdha dhe ngritjes së nivelit të lumit Lumbardh nuk ka pasur bartje të materieve inerte dhe të drurëve, të cilët kanë mundur të shkaktojnë bllokime tek urat e qytetit, ngase në 3 vitet e fundit rregullisht kemi bërë pastrimin e luginës së Lumbardhit në rreth 20 kilometra të rrjedhës.

Asnjë koment

Comments are closed.