Haskuka insiston që shërbyesit civilë të mos jenë në udhëheqjen e partive
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, sërish ka kërkuar nga vartësit e tij në Ekzekutiv që t’i zbatojnë dispozitat ligjore lidhur me angazhimin politik të shërbyesve civilë. Ai ka pohuar se njoftimi i mëparshëm nga kabineti i tij nuk është trajtuar seriozisht dhe se shërbyesit civilë po vazhdojnë praktikën e angazhimit në aktivitete politike, respektivisht në pozita drejtuese partiake. Duke kërkuar zbatimin e ligjit që rregullon këtë fushë, ai ka paralajmëruar nisjen e procedurave disiplinore ndaj shërbyesve civilë që mbajnë pozita drejtuese në parti politike dhe janë aktivë politikisht.
“Emaili që u dërgua kohë më parë nga kabineti me sa po e shoh nuk është marrë parasysh seriozisht, ngase ende po shoh që shërbyesit civilë janë duke u angazhuar në aktivitete politike, respektivisht në pozita drejtuese”, thuhet në letrën elektronike të Haskukës dërguar ditë më parë në adresë të drejtorëve të Ekzekutivit. Me këtë rast ai ka përmendur dispozitat ligjore që ndalojnë angazhimin politik të nëpunësve civilë, shkruan Koha Ditore.
“Bazuar në Ligjin i cili është në fuqi, nr. 37/L-149 për shërbimin civil të Republikës së Kosovës, në nenin 17 pika 3 parashihet se ‘nëpunësit civilë nuk mund të mbajnë pozita drejtuese në parti politike dhe të jenë aktivë politikisht’, si dhe bazuar në ligjin e ri, i cili fillon të zbatohet dhe implementohet nga 1 shtatori i vitit 2019, ku në nenin 22 është e paraparë e drejta politike, e cila në pikën 3 parasheh se ‘nëpunësit civilë me përjashtim të nëpunësve të kategorisë së lartë drejtuese, mund të jenë anëtarë të partive politike, por nuk mund të jenë anëtarë të organeve drejtuese (qendrore dhe komunale) të një partie politike”, ka shkruar Haskuka.
Shefi i Ekzekutivit lokal ka kërkuar nga drejtorët që të njoftojnë nëpunësit civilë se duhet t’i përmbahen ligjit, pasi që në të kundërtën do të iniciohen procedura disiplinore ndaj këtyre nëpunësve.