24-11-2024

Haskuka kërkon shtimin e numrit të testeve për COVID-19 dhe ndihmë për spitalin e Prizrenit

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka thënë se në këtë periudhë Kosova duhet të bënte 2000-3000 teste në ditë, e jo numri të jetë rreth 500.

Ai ka treguar se në Prizren çdo ditë po bëhen rreth 20-30 teste dhe po dalin më shumë se gjysma pozitive. Ka treguar edhe se në spitalin e Prizrenit kishte pasur probleme me furnizim me oksigjen dhe komuna e Prizrenit është dashur të furnizojë spitalin me bombola të oksigjenit.

“Ata kritikonin Qeverinë Kurti se nuk po menaxhohet mirë dhe Arben Vitinë se po testoheshin. Në komunën e Prizrenit në atë kohë bënim deri 100 testime dhe dilnin nga gjashtë raste. Tash po bëhen 10 deri 20 teste në ditë, e më shumë se gjysma dalin pozitivë. Bëhen maksimum deri 30 teste. Shtatë muaj pas fillimit të pandemisë Kosova duhej të ishte në pozitë të bënte 2000-3000 teste në ditë. Nga IKSHPK nuk janë plotësuar kërkesat e institucioneve. Spitali i Prizrenit ka qenë pa oksigjen për shembull. Ka qenë e papranueshme të kemi 50-60 pacientë që kanë mbetur pa oksigjen. Si komunë i kemi ofruar pacientëve bombola të oksigjenit.

Brenda dy jave janë shpenzuar rreth 800 bombola me oksigjen që i kemi dhënë na spitalit të Prizrenit edhe pse nuk është kompetencë e komunës. Pas më shumë se një muaj ka filluar furnizimi i mirëfilltë me oksigjen në spitalin e Prizrenit. Të shtunën isha në Stamboll, shoqata e emigrantëve të Prizrenit në Stamboll kishte blerë gjashtë respiratorë. Janë në pritje më shumë se një muaj nga MSH-ja që t’i dërgojnë respiratorët në spitalin e Prizrenit. Nuk kanë marrë lejet e caktuara që duhen për transport. Ata thoshin se po ju vjen shumë keq që po ka njerëz që po u duhet respiratori, e respiratorët po u rijnë në zyre të tyre”, ka thënë Haskuka në Interaktiv të KTV-së.

Ai po ashtu ka folur edhe për masat e marra nga Qeveria Hoti për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Ka thënë se nuk ka logjikë që Prizreni, që ka një numër relativisht të vogël të rasteve të jetë me kufizime të lëvizjes, njëjtë si Prishtina që po prinë me raste. Po ashtu ka thënë se nuk ka logjikë që të mbyllen pishinat e hapura e të lejohet funksionimi i atyre të mbyllura.
“Mendoj se duhet të hiqen kufizimet. Kemi vendime kontraverse. Qytetarët po shkojnë në Shqipëri në fundjava në gjithë atë tollovi. Duhet të marrim masa që janë logjike dhe që ndikojnë vërtetë në parandalimin e përhapjes së COVID-19”, ka thënë Haskuka.

Ai ka treguar se Prizreni ishte i gatshëm të fillonte procesin mësimor më 1 shtator, por në çastet e fundit u kumtua vendimi për shtyrje të procesit për dy javë. Ai ka shtuar se këto vendime po ndikojnë edhe në përkeqësim të situatës së pandemisë.

Po ashtu Haskuka ka shtuar se ka edhe mangësi në protokollet si po trajtohen pacientët me COVID-19 në Kosovë. Ai po ashtu ka folur edhe për çmimet e larta të testeve për COVID-19 në laboratorët private.

“Nuk është në rregull të jepet antibiotik për dikë që është me virus. Sipas shumë ekspertëve dhe mjekëve tanë që jetojnë jashtë Kosovës thonë se këto nuk janë në rregull dhe kanë dërguar protokollet se si duhet veprohet. Këtu i kam dërguar edhe në ministri”, ka thënë ai. “Normal duhet të rritet nga IKSHPK. ISHP në Prizren ka kapacitet të bëhet PCR aty. Është premtuar të dërgohen aparatura aty dhe të bëhen testet.

Të mos kemi nevojë të dërgojmë mostrat e të presim dy tre ditë për rezultate. Nuk e di pse nuk është bërë. Është dashur të marrim më tepër epidemiolog. T’i bëjmë thirrje studentëve tanë që studiojnë jashtë vendit në këto fusha të përforcojnë Institutet Rajonale të Shëndetit Publik në këtë situatë. Mendoj se kur në situata kur sektori publik është shumë i dobët, vjen te keqpërdorimi i situatës nga ana e sektorit privat, andaj kemi parë edhe çmimet. Për të udhëtuar jashtë vendit shumicës u duhet testi PCR. Faktikisht një test PCR kushton sa një rrogë e një punëtori të thjeshtë në sektor privat”, ka thënë Haskuka./koha.net

Asnjë koment

Comments are closed.