24-11-2024

Haskuka mbron drejtorin Oreshka, të dënuar për dy vepra penale

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, i ka dalë në mbrojtje drejtorit të Kulturës, Ehat Oreshka, pas raportimeve në media lidhur me dënimin e tij nga Gjykata Themelore e Prizrenit. Me këtë rast, Haskuka ka shprehur qëndrimin se rasti i Oreshkës që daton nga viti 2013 e që ka të bëjë me një veturë të vjetër “Volvo” të vitit 1966 është aktualizuar pasi që ky ka marrë postin e drejtorit komunal dhe është dënuar brenda një afati të shpejtë kohor.

Kreu i Prizrenit ka kërkuar që organet e drejtësisë të tregojnë efikasitet të njëjtë edhe në raport me denoncimet e ekzekutivit lokal në “58 dosje të keqpërdorimit dhe të krimit”, shkruan sot Koha Ditore.

Mirëpo përfaqësuesit nga partitë opozitare kanë kritikuar qasjen e Haskukës në këtë rast, duke përkujtuar se zotimet e subjektit të tij politik kanë qenë për qeverisje me zyrtarë që nuk kanë telashe me ligjin.

Ndërkohë që monitoruesit nga shoqëria civile kanë theksuar se fokusi i kryetarit duhet të orientohet në ngritjen e integritetit institucional, pa dhënë opinione mbi efikasitetin e punës së gjyqësorit.

Asnjë koment

Comments are closed.