23-11-2024

Haskuka suspendon shefin e zyrës ligjore, Arben Krasniqin

Kritikat e fundit të opozitës dhe të shoqërisë civile ndaj pushtetit në Prizren, duket se kanë ndikuar në hapat, që kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, ta suspendojë nga detyra shefin e zyrës ligjore, Arben Krasniqi.

Sipas Kallxo.com, Krasniqi është duke u hetuar nga Prokuroria e Prizrenit.

Shefi i zyrës ligjore i Komunës së Prizrenit,  Arben Krasniqi dhe Shqipron Krasniqi, përfaqësuesi ligjor i Komunës, në janar janë liruar pasi kanë mbajtur një muaj paraburgim, nën dyshimet për keqpërdorim  të detyrës së tyre zyrtare.

Në anën tjetër, pos akuzave të opozitës e shoqërisë civile në Prizren, rreth disa tenderëve me kosto të lartë, kritika ndaj pushtetit të këtushëm të drejtuar nga Vetëvendosje,  publikisht  kanë hedhur edhe anëtarë të këtij subjekti, duke thënë se disa zyrtarë e kanë shfrytëzuar situatën për “t’i grahë lekut”.

“Disa që janë ba nëpunësa, drejtora e shefa në komunë e thirren në emër të VV nuk kanë asgjë të përbashkët me Lëvizjen dhe Albin Kurtin. Ata e kanë shfrytëzuar situatën dhe i kanë grahë lekut….
Përfundimisht turp është për ne si Lëvizje që vazhdojmë me i lanë me livadhisë si në livadh të babës së vet” , ka shkruar, ditë më parë Dani Kolukaj.

Për keqpërdorim të pozitës zyrtare në komunën e Prizrenit,  akuzohen edhe 3 drejtorë të tjerë, ai i shërbimeve publike, drejtori i Punës dhe Mirëqenies Sociale, si dhe ish-drejtori për Kadastër e Gjeodezi.

Aktakuzë është ngritur edhe ndaj, drejtorit të Inspeksionit në Komunën e Prizrenit.

Me datë 20 dhjetor 2019, Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër një drejtori dhe pesë zyrtarëve të tjerë komunalë, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 2-1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Në gushtë të vitit të kaluar për shkak të ngritjes së aktakuzës për veprën penale “keqpërdorim të pozitës zyrtare” dha dorëheqje, Ertan Simitçiu, drejtor për Ekonomi dhe Financa në komunën e Prizrenit, raporton GazetaePrizrenit.net.

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.