Haziri ia rrahë tavolinën Albin Kurtit: Koha me largu tarifën, reciprociteti më vonë

Kryetari i Gjilanit dhe nënkryetari i partisë partnere të Albin Kurtit, Lutfi Haziri, ka shprehur qëndrimin e tij qartazi, duke kërkuar që tarifa ndaj Serbisë të hiqet dhe për reciprocitetin të vendoset më vonë.

Madje, Lutfi Haziri këtë gjë e ka bërë dy herë, duke bërë kështu që qëndrimi i tij të konsiderohet si insistim i partisë që i takon, shkruan Reporteri.net.

Haziri publikoi së pari qëndrimin në Twitter, ku në gjuhën angleze, atë që e kupton njeriu që po insiston në heqjen e taksës, Richard Grenell, ai kërkoi të hiqet taksa. Më pas, të njëjtat fjalë, Haziri i tha në Facebook.

“Vendimet e vështira e bëjnë një lider të suksesshëm. Jo gjithmonë, janë vendime popullore për të tashmen, por të domosdoshme për të ardhmen. Koha për vendime të rënda, por të domosdoshme. Koha me e largu tarifën. Vlerësimet për reciprocitet bëhen në ecje e sipër!”, ka thënë Haziri.

E ky qëndrim i nënkryetarit të LDK-së, është në vijë me linjën amerikane, të cilën me insistim po kërkojnë që tarifa të hiqet. Madje, mediat raportuan sot se burime amerikane po thonë që zyrtarët e lartë të shtetit janë të pakënaqur me qëndrimin e Albin Kurtit.

Se ka presion lidhur me këtë cështje, e konfirmoi sonte në Pressing edhe zëvendësi i Kurtit, Haki Abazi, i cili theksoi se taksa do të hiqet por shtoi se kanë “disa punë të tjera”.