Hiqet një pjesë e kabinës së “harruar” në qendrën e Prizrenit

Më në fund duket se nga qendra e Prizrenit do të bëhet heqja e një kabine të “harruar” që nuk i shërbente askujt, pos që ishte bërë pengesë për kalimtarët, transmeton “gazetaeprizrenit.net”.

 

Kabina,  skaj urës së Arastës, përballë hotel “Therandës”,  ka qëndruar aty rreth një dekadë,  ndërsa kur ishte vendosur u tha se po bëhej për të ofruar shërbime të komunikimit, përfshirë edhe në internet.

 

Megjithatë, që nga vendosja e saj nuk është parë se dikush ka kryer ndonjë shërbim në të.

 

Siç shihet edhe në foto nga aty është bërë heqja e një pjese, por ka mbetur trungu i kabinës,  për të cilin besojmë se do të hiqet tërësisht. Për nevojën e heqjes së saj, në fillim të kësaj jave ka shkruar gazetaeprizrenit.net.

Largimi duket se është bërë gjatë një aksioni të ndërmarrë nga Drejtoria e Inspektorateve, në fokusin e të cilës është heqja e të gjitha pengesave të vendosura në mënyrë të paligjshme në hapësirat publike, përfshirë reklamat,
pengesat për parkingje dhe ato në trotuare.