27-04-2024

Histori: “Formacioni i Prishtinës, që e gjunjëzoi C. Zvezdën (3:1 midis “Beogradit”

“Prishtina e famshme në krye me Fadil Vokrrin, Zoran Batroviqin, Fadil Muriqin, Agim Canën, Favzi Ramën, Skënder Shengylin, Ramadan Cimilin, Shefqet Sinanin, Edmond Rugovën, Sllobodan Shuicën, Rifat Mehinoviqin, Petre Gruesvkin etj. shkaktuan tërmet në Beograd pikërisht me 16 tetor të vitit 1983, në kuadër të javës së 11-të të Ligës së Parë të ish Jugosllavisë!

Prishtina e gjunjëzoi Cërvena Zvezdën me rezultat 3:1 midis “Marakanës”, në anën tjetër regjimi i asaj kohe, serbët u tërbuan aq keq saqë arrestuan me qindra (mbi 200) tifozë të Prishtinës pas ndeshjes, veç pse ishin shqiptare, duke i akuzuar se kanë brohoritur Eho, Eho, Ehooo.

Cërvena Zvezda – Prishtina 1:3 (1:0)

Stadiumi “Marakana” në Beograd.
Shikues: 15.000.
Gjyqtarë: Stjepan Gllavina (Klis), Mehmet Selimhaxhiq (Sarajeva), Momçillo Lazarevski (Kumanova).
Shënues: B. Gjurovski (30′ – nga penalltia) – Cana (57′), Batroviqi 68′ dhe 72′).
Kartona të verdhë: Cana, Shuica dhe Mehinoviqi.
Cërvena Zvezda: Ivkoviqi 5, Komadina 5 (Gjuroviqi), Jovini 6, Bankoviqi 6, Elzneri 6, Boshko Gjurovski 5, Shestiqi 5, Millojeviqi 6, Nikoliqi 6, Janjanini 5 dhe Mrkella 7.

Prishtina: Sllobodan Shuica 9, Skënder Shengyli 8, Shefqet Sinani 8, Ramadan Cimili 8, Petre Gruesvki 7, Favzi Rama 8, Rifat Mehinoviqi 8 (Edmond Rugova), Fadil Muriqi 8, Fadil Vokrri 8, Agim Cana 8 dhe Zoran Batroviqi 9.

Një Prishtinë që trullosi një Zvezdë dhe që shkaktoi senzacion në shtetin që nuk ekziston më!
Portieri Tomisllav Ivkoviqi tri herë u poshtëruar. Vendasit kaluan në epërsi në minutën e 30-të, me golin e futbollistit Boshko Gjurovski, i cili shënoi nga penalltia.

Në pjesën e dytë, Prishtina i dha leksion Zvezdës së trajnerit Gojlo Zec. Agim Cana, prej më të mirëve realizon në minutën e 57-të.

Zoran Batroviq, sikur i çartuar, realizoi në minutën e 68-të dhe nga gjuajtja e lirë rreth 25 metra në atë të 72-tën. Beogradi i tronditur, nuk iu besoni syve, shqiptarët e Kosovës fituan bindshëm, heshtje varri në kampin e Zvezdës!

Pas javës së 11-të, Rijeka kryesonte me 15, pikë, duke lënë pas Hajdukun 14, Partizanin 14, Prishtinën 14, Velezhin 13, Zhelezniçarin 13, Osijekun 12, Sarajevën 11, Buduçnostin 11, Cërvena Zvezdën 10, Vojvodinën 10, Diamon e Vinkovcit 10, Sllobodën 10, Radniçkin e Nishit 9, Çelikun 9, Dinamon e Zagrebit 8, Vardarin 8 dhe Olimpinë 7.

Fuad Muzoroviq, kryetrajner i Prishtinës, ishte sikur në qiellin e shtatë, ndërsa Prishtina edicionin e mbylli në vend të tetë me 33 pikë të mbledhura”.

Kemajl Goca

Notice: Trying to access array offset on value of type null in /home/customer/www/a-news24.com/public_html/wp-content/themes/goodnews5/framework/functions/posts_share.php on line 66

Asnjë koment

Comments are closed.