26-04-2024

Prizren: Theri policët me thikë dhe u kap me drogë, 37-vjeçari s’ishte në gjendje të deklarohet për Policinë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në lagjen ‘Dardania’ në Prizren, ku tre zyrtarë policorë të Njësisë së Reagimit të Shpejtë në Policinë e Kosovës kanë mbetur të plagosur, pasi dyshohet se u therën me thikë nga Caner Galan, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali ka raportuar ekskluzivisht lidhur me ngjarjen, teksa më poshtë iu sjellë një përmbledhje të gjithë asaj se çfarë ka ndodhur.

Caner Galan37-vjeçar, i cili dyshohet se është përdorues dhe kultivues i substancave narkotike, për shkak të gjendjes së rëndë emocionale në të cilën ndodhej kishte shkaktuar tollovi në familjen e tij. Këta të fundit u detyruan që të kërkojnë ndihmën e Policisë së Kosovës, pasi djali i tyre refuzonte t’i marrë medikamentet e nevojshme dhe ishte mbyllur në një nga dhomat e shtëpisë, ku pos të tjerash mbante në dorë edhe një mjet të mprehtë.

Njësitë policore me të marrë informatën kishin dalë në vendin e ngjarjes, ku në tentim e sipër që të vënë situatën nën kontroll, janë sulmuar nga Galan, duke u detyruar që të kërkojnë përforcime nga NJRSH-ja.

Pjesëtarët e NJRSH-së u kishin dalë në ndihmë kolegëve të tyre menjëherë, ku posa kanë shkuar në vendin e ngjarjes kanë ndërhyrë që ta lokalizojnë të dyshuarin i cili po bënte veprime të dhunshme. Por ndërhyrja doli të jetë e përgjakshme për tre nga zyrtarët policorë, pasi që ata dyshohet se u therën me thikën që mbante në dorë 37-vjeçari.

Njëri nga policët ka marrë lëndime të rënda, ku për shkak të plagëve është transportuar me urgjencë për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim mjekësor. Ndërsa dy të tjerët janë dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Prizren, ku njëri nga ta është ndalur për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor, kurse tjetri është liruar për në shtëpi.

Policia ka kryer edhe bastisje në shtëpinë e të dyshuarit ku gjatë kontrollit kanë gjetur dhe sekuestruar dy bimë të dyshuara të llojit kanabis sativa.

37-vjeçari, Caner Galan, është arrestuar nga Policia dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim. Mirëpo për shkak të gjendjes së tij psikike, intervistimi i tij ka qenë i pamundur për momentin.

Me urdhër të prokurorit, Galan është ndaluar për 48 orë dhe mbi të rëndojnë veprat penale ‘Sulm ndaj personit zyrtar’ dhe ‘Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës dhe bimëve të kanabisit’.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Asnjë koment

Comments are closed.