22-11-2024

Historianët: Prizreni duhet shpallur Kryeqytet i Shqiptarisë

Historianët  prizrenas,  derisa e kanë mirëpritur përcaktimin me ligj të  Prizrenit si “Kryeqytet historik i Kosovës ”,  vlerësojnë se ky hap duhet t’ia kujtojë  edhe Tiranës,  në mënyrë që Prizreni të shpallet kryeqendër e shqiptarisë, raporton “Gazeta e Prizrenit.net”.

 

Prof. Dr. Parim Kosova, përgjegjës  i Kompleksit të Lidhjes Shqiptare (LSHP), duke kujtuar rolin që ka pasur qytetit tha se edhe evropianet në fund të shek. XVII e kanë vlerësuar Prizrenin, si kryeqytet të shqiptarisë.

 

“Edhe Lidhja Shqiptare arriti ta formon qeverinë e përkohshme  me kryeqytet të Shqipërisë, Prizrenin. Gjatë periudhës osmane ky qyte ka qenë qendër e vilajetit, qendër sanxhakut.  Edhe pas Luftës së  Dytë, Prizreni për një kohë ka qenë kryeqytet”, ka thënë ai për “Gazetën e Prizrenit”.

 

Kosova, u shpreh optimistë se në të ardhmen Prizrenit, do t’i kthehet dinjiteti dhe të shpallet kryeqytet i tërë shqiptarisë.

 

Edhe historiani tjetër prizrenas,  Enver Batiu,  vlerësoi se Kuvendi ka marrë një vendim të mençur, që na kujton jo vetëm të kaluarën, por edhe të ardhmen. “Këtë duhet t’ia kujtojmë edhe Tiranës zyrtare, në mënyrë që Prizreni të mbetet kryeqyteti i shqiptarisë, pasi pikërisht këtu u zhvillua e gjithë veprimtaria dhe është realizuar ideja e krijimit të shtetit të parë shqiptar”, tha ai, raporton “Gazeta e Prizrenit.net’.

 

Profesori Batiu, tha se këtu qëndron rëndësia e madhe, pasi duke përkujtuar të kaluarën do ta njohim të tashmen dhe mund ta përgatitim të ardhmen.

“Për  bartjen e kryeqytetit nga Prizreni në Prishtinë, nuk është pyetur populli, por pushteti i atëhershëm e ka bërë për interesa të tij, sigurisht për t’ia zbehur Prizrenit rëndësinë historike kombëtare”, tha ai.

 

Epitetin  zyrtar  “Kryeqytet historik”  të dhënë  një ditë më parë nga Parlamenti i vendit,  e kanë përshëndetur edhe zyrtarë e qytetarë të tjerë, të cilët duke postuar fotografi e statuse nëpër rrjetet sociale, kanë shkruar fjalë lavdi për Prizrenin, e bukur. Ndryshe në një këngë të vjetër, që i referohet Lidhjes Shqiptare, ky qytetet cilësohet  “N’atë Prizren, ma t‘ bukurin vend”.

Asnjë koment

Comments are closed.