Hysni Gucati në Hagë: Në të gjitha pikat që mu lexuan deri tash e ndiej vetën të pafajshëm
“I nderuar gjyqtar, në të gjitha pikat që mu lexuan deri tash e ndiej vetën të pafajshëm dhe plotësisht i pafajshëm”, është deklarata që kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati, e dha në paraqitjen e parë që po mbahet në Hagë.
Pasi sekretarja e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë lexoi akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar dhe Gucati u njoftua me të drejtat e tij, i njëjti fillimisht pohoi se i ka kuptuar ato, e më pas kërkoi nga gjykatësi Nicolas Guillou që t’i lejohet të bëj një deklaratë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Unë Hysni Gucati dhe bashkëluftëtarët e mi kemi mbrojtur pragun e shtëpisë dhe atdheun tonë dhe si pasojë unë jam plagosur me 3 qershor të vitit 1999 dhe sot jam invalid i luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ne nuk e kemi pushtuar Serbinë, ne jemi të pafajshëm. Unë kam të drejtën e lirisë dhe të shprehjes dhe të drejtën të shprehjes së mendimeve të mija. Është e drejtë e imja që në mënyrë të ligjshme të mbroj vlerat e kombit shqiptar dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe do të vazhdoj t’i mbroj këto vlera deri në fund. I nderuar gjyqtar, në të gjitha pikat që mu lexuan deri tash e ndiej vetën të pafajshëm dhe plotësisht i pafajshëm”, deklaroi Gucati.
“Ju thatë që “ndjehem i pafajshëm”. A mund të thoni që vet deklaroheni i pafajshëm në lidhje me aktakuzën?”, u pyet i akuzuari nga gjykatësi Guillou.
“Deklarohem i pafajshëm në të gjitha pikat që mu kanë veshur mua”, tha Gucati.
Tutje, mbrojtësi i Gucatit, avokati Jonathan Elisten Reese, ka kërkuar që konferenca mbi ecurinë e çështjes të mbahet me 8 janar.
“Dy çështje i nderuar gjykatës, e para ka të bëjë me datën e konferencës për ecurinë e çështjes, ju kërkuat të bëjmë parashtrime verbale sot në lidhje me atë datë. Duke marr parasysh që data 7 janar që është e enjte, mund të jetë data e mundshme për atë seancë. Për shkak të angazhimeve profesionale që kam nuk mund të vijë atë datë, por mund të vij me datën 8 janar. Unë diskutova këtë çështje edhe me avokatin e zotit Haradinaj dhe ne ramë dakord dhe kuptova prej atij që data 8 janar është e përshtatshme edhe për të edhe për ZPS”, ka thënë ai.
Avokati Jonathan Elisten Reese gjithashtu është deklaruar lidhur me parashtrimet sa i përket masës së paraburgimit
“Çështja tjetër ka lidhje me rishikimin e masës së paraburgimit që duhet të bëhet me datë 27 dhjetor. Në përputhje me udhëzimin që keni dhënë ju, ne kemi dorëzuar parashtrime me shkrim, u ngarkuan në sistemin Legal Work Flow sot. Në fund të këtyre parashtrimeve kemi kërkuar që të bëhet një seancë me gojë në lidhje me atë rishikim. Ju keni dhënë udhëzim lidhur me këto parashtrime që edhe ZPS, edhe mbrojtja e Haradinaj dhe Gucatit, të japin parashtrimet e tyre me shkrim në të njëjtën datë që është data sot. Por, ne nuk kemi marrë njoftim paraprak për këto parashtrime lidhur me rishikimin e paraburgimit nga ZPS. Paraburgimi ka të bëjë me të drejtën themelore të Gucatit për të qenë i lirë dhe duhet që ZPS të justifikojë vazhdimin e paraburgimit për të”, ka thënë ai.
Tutje, ai ka kërkuar që të mbahet seancë dëgjimore lidhur me çështjen e paraburgimit.
“Si keni thënë në udhëzimet e mëparshme, keni pranuar që zotit Gucatit duhet t’i jepet informacioni i duhur në mënyrë që të bëhet rishikimi për paraburgimin e tij. Në fillim prokurori duhet të jap njoftim çfarë parashtrime ka dhe ne të bëjmë komente për këtë. Ne themi që duhet të bëhet seancë gojore në mënyrë që Gucati të ketë mundësi të përgjigjet parashtrimeve të ZPS dhe shtoj se edhe Haradinaj duhet të bëjë parashtrimet e veta në lidhje me këtë çështje”, ka thënë avokati.
Në anën tjetër, prokurorja Valeria Bolicci ka deklaruar se nuk e konsiderojnë të nevojshme një seancë të parashtrimeve me gojë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Unë desha të them që avokati mbrojtës është njoftuar për urdhrin e gjykatësit paraprak që me datë 9 dhjetor dhe u kërkua palëve që të bëjnë parashtrime me shkrim lidhur me paraburgimin në të njëjtën kohë. Nëse mbrojtësi kishte ide që dëshironte një diferencim në afatet kohore se kur do t’i dorëzonin parashtrimet palët, këtë kërkesë mund ta kishte bërë më herët. Kjo seancë e parashtrimeve me gojë sipas mendimit tonë nuk është e nevojshme në këtë fazë, sepse dy palët kanë paraqitur parashtrimet me shkrim dhe të gjitha çështjet i janë paraqitur gjykatësit paraprak që të marrë vendimin e tij”, ka thënë ajo.
Kurse, avokati i Gucatit deklaroi se ata përsërisin dhe i përmbahen kërkesës për një seancë me gojë.
“Të propozuar në një nga tre ditët e ardhshme, nga e hëna të mërkurën përmes videolinkut. E ngremë këtë çështje sepse jemi në një pozicion tjetër nga pikëpamja procedurale krahasuar me atë para Gjykatës së Apelit”, ka thënë ai.
Lidhur me këtë, gjykatësi paraprak Nicolas Guillou deklaroi se për këtë çështje do të marrë vendim me shkrim gjatë ditës së sotme pasdite, apo të hënën në mëngjes.
Tutje, ai kërkoi nga palët që të respektojnë natyrën konfidenciale në procedurë.
“Kam vënë re ditëve të fundit me shqetësim se mediat kanë raportuar informacion lidhur me vendimin e konfirmimit dhe akuzat në aktakuzën e konfirmuar që nuk ishin bërë publike në atë kohë. Dëshiroj tua kujtoj palëve dhe të akuzuarve të respektojnë natyrën konfidenciale sa i përket procedurave”, ka thënë ai.
Ndryshe, Hysni Gucati, së bashku me Nasim Haradinajn, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale. Z. Gucati dhe z. Haradinaj bënë akuza dhe komente nënçmuese kundër dëshmitarëve (të mundshëm) dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara. Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së.”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.
“Në bazë të Ligjit, Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë juridiksion që të gjykojnë individë për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë kur këto vepra penale kanë të bëjnë me procedurat zyrtare dhe zyrtarë të Dhomave të Specializuara.”, thuhej tutje në njoftim.
Gucati u arrestua më 25 shtator në Kosovë, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim, të lëshuara nga një gjykatës i Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Me 1 tetor ai kishte paraqitjen e parë në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK). /BetimipërDrejtësi