23-04-2024

I akuzuari për zhvatje e korrupsion e kërcënime pritet ta zë vendin e Vokrrit

Federata e Futbollit të Kosovës sot  do të mbajë kuvendin e jashtëzakonshëm, në të cilin pritet të zgjidhet pasardhësi i të ndjerit Fadil Vokrri. Nënkryetari i deritanishëm i FFK’së, Agim Ademi është kandidati i vetëm për këtë pozitë. Ai mori përkrahjen e pothuajse të gjitha lidhjeve rajonale të futbollit kosovar.

 

Ademi, i cili mund të marrë epitetin e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës ishte i akuzuar për zhvatje e korrupsion. Madje, në aktakuzën ndaj tij thuhet se ai ka kërcënuar dëshmitarin e këtij rasti, i cili përmes një incizimi kishte zbuluar skandalin.

 

Burime të Periskopit kanë bërë të ditur se me 20 korrik të këtij muaji do të mbahet seanca e radhës gjyqësore, ndërkohë që ky rast pas përfundimit të gjykimeve nga EULEX’i, u ka kaluar vendorëve.

 

Për këtë vepër penale, Ademi mund të dënohet me 10 vjet burg.

 

Ende pa përfunduar e pamja për kryetarin e FFK’së, Fadil Vokrrin, i cili vdiq nga një sulm në zemër, Lidhja Rajonale e Futbollit të Prizrenit dhe Lidhja Rajonale e Futbollit të Gjilanit, ftuan nënkryetarin e FFK’së, Agim Ademin që të thërras kuvendin zgjedhor për të zgjedhur kryetarin e ri të Federatës.

Arsyetimi i tyre për këtë nguti ishte që të mos krijohet boshllëk institucional.

Madje, të dy Lidhjet në propozimin e tyre kërkuan nga nënkryetari Agim Ademi që të kandidohet për të parin e Federatës së Futbollit të Kosovës.

Më 2012, Ademi kishte mbajtur 30 ditë paraburgim, pasi akuzohej për korrupsion e zhvatje.

Madje, paraburgimi ndaj tij ishte caktuar edhe për shkak të kërcënimit të mundshëm të dëshmitarëve për rastin në fjalë.

Përveç Ademit, të akuzuar ishin edhe biznesmeni Muharrem Rama, dhe ish-kryesuesi i Kuvendit të Prishtinës, Sami Hamiti.

Biznesmenët Agim Ademi dhe Muharrem Rama nga Prishtina, ishin kapur në një incizim duke kërkuar ryshfet në emër të ish-kryesuesit të Kuvendit Komunal të Prishtinës, Sami Hamitit.

Asnjë koment

Comments are closed.