I burgosuri në Idrizovë s’kthehet në burg pas lejes për pushim, arratiset në Kosovë
Një rast është zbuluar së fundmi nga Policia në Kosovë, ku i përfshirë është një person që po vuante dënimin në Maqedoninë e Veriut, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se një i burgosur në burgun e Idrizovës ka arritur të futet në Kosovë ilegalisht, pasi ishte arratisur nga MV.
Sipas informacioneve të para, rasti ka ndodhur pasi i njëjti ishte liruar për pushim dyditor dhe kishte vendosur të mos kthehej – me ç’rast mori rrugën për Kosovë.
Por, u fut në telashe pasi Policia e Kosovës e arrestoi dhe më pas e shoqëroi për në stacion policor.
Të njëjtat burime thonë se i dënuari u kap pasi fillimisht ishte denoncuar për një rast të tentim vjedhjes në një lokal.
Lidhur me rastin janë ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe si rezultat janë njoftuar autoritetet maqedonase.
I burgosuri që iku dhe përfundoi në prangat e Policisë në Kosovë tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.