07-10-2024

I është dhënë lamtumira e fundit aktores Adea Shabani

Aktorja shqiptare, Adea Shabani, të hënën është varrosur sipas ritualeve fetare në varrezat e Butelit, të Shkupit. Për ta shoqëruar në stacionin e fundit kishin ardhur familjarë dhe miq të shumtë nga shtete të ndryshme. Kjo tregon se aktorja 25-vjeçare, ka qenë miqësore dhe e dashur. Këtë e pohuan edhe shoqet e saja që e morën fjalën në mbledhjen komemorative.

“Në disa nga bisedat tona në Skype, ajo ka qenë e shoqëruar me lodra nga Disney dhe me një buzëqeshje të pafajshme, nuk pranonte kritika që tani është e rritur. Me të njëjtën buzëqeshje që mbante kur hante ushqimin e saj te preferuar, këtë buzëqeshje kishte edhe për përcjelljen e ëndrrave të saj dhe kur shihte se si po realizohen ëndrrat e te tjerëve”, ka thënë Zoja Suroi, citon TV Koha.

Shoqja tjetër e cila vinte nga Shtetet e Bashkuara, Elizabeth kujtoi momentet gazmore me Adean.

“Sa të qeshura ishim dhe sa të lumtura. Gjitha ato kohëra perfekte me ty. Faleminderit për këto kujtime e dashura ime. Faleminderit që më deshe pa kushte. Në të mirë, në të keq, në varfëri dhe në pasuri. Në momente qesharake dhe të hidhura. Faleminderit që më deshe pa paragjykime . besoj që din që edhe unë të dua ty”, është shprehur Elizabeth Che.

Ngushëllime shprehën edhe miqtë e tjerë, të cilët nga pamundësia për të ardhur në mbledhje përkujtimore, kishin përgatitur një video-material.

“Më shumë nga gjithçka më mungon momenti kur lëviznim me makinë dhe dëgjonim muzikë. Tërë kohës luanim dhe xhironim. Pas kësaj shkonim të hanim diçka, ndonjë fast-food ose të pinim kafe. Kjo më mungon te ti. Ta dish se askush s’mund ta ndryshojë këtë dhe askush s’mund të të zëvendësojë, Adea”.

Komentet

Komento