23-09-2020

I hiqet dënimi me përjashtim, Man. City fiton në Cas

Manchester City fiton betejën ligjore me UEFA në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë. Kjo e fundit pranoi apelin e bërë nga skuadra angleze dhe e hodhi poshtë dënimin e dhënë nga qeveria e futbollit evropian për përjashtim të Citizens nga kompeticionet evropiane në 2 sezonet e ardhshme.

Megjithatë CAS vendosi të lërë në fuqi sanksionimin me gjobë, por në një masë të reduktuar nga 30 në 10 milionë Euro. Gjykata e Arbitrazhit sportiv në 8,9 dhe 10 qershor zhvilloi seancën dëgjimore të kësaj çështjeje për ta studiuar më pas dhe në fund vendosi që të hedhë poshtë dënimin e UEFA kundrejt Manchester City që do të thotë se kjo skuadër do të marrë pjesë rregullisht në Ligën e Kampioneve të sezonit të ardhshëm dhe atyre pasardhëse.

UEFA e dënoi Manchester City në 14 shkurt për thyerje të rregullit të Fair Play Financiar, një vendim që nuk i pëlqeu aspak Citizens të cilët reaguan menjëherë duke bërë apelin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv që në fund doli në favor të anglezëve. Është ky një lajm i shkëlqyer për Manchester City tek i cili ekzistonte frika e një eksodi të jashtëzakonshëm të lojtarëve në rast se do të konfirmohej dënimi i UEFA. Tani skuadra e Guardiolës mund të përqendrohet plotësisht te Liga e Kampioneve e këtij sezoni, ku fillimisht do të luajë sfidën me Realin e Madridit në 1/8 e finaleve në Etihad Stadium ndërkohë që në çerekfinale e pret fituesi i çiftit Juventus-Lyon. Po kështu Manchester City është në lojë edhe për një trofe tjetër, Kupën e Anglisë ku ka arritur në gjysmëfinale fazë në të cilën do të përballet me Arsenalin në Wembley. /Top Channel

Asnjë koment

Comments are closed.