I sëmurë me diabet e astmë–strategjia e B. Veliajt që vrau gruan për t’a zbutur gjykatësin
Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Krimeve të Rënda, sot gjatë ditës ka vendosur të caktojë masën e paraburgimit prej 1 muaji ndaj të pandehurit Bajram Velijaj 61-vjeçar nga Prizreni, me dyshimet se ky i fundit më 6 gusht e vrau gruan e tij Armenda Aliun. Gazeta Express ka biseduar me palën mbrojtëse të Velijajt. Sipas avokatit, Orhan Rekathati, klienti i tij, Bajram Velijaj e ka pranuar se e ka gjuajtur bashkëshorten me armë zjarri dhe se është shprehur i penduar për rastin.
Doli nga shtëpia pas një fjalosjeje që kishte pasur me bashkëshortin e saj. Por rrugës për të hipur në taksi ajo u godit pas shpine me dhjetëra plumba. Armenda Aliu-Velijaj, 48 vjeçare, u vra nga burri i saj, 15 vjet më i vjetër Bajram Velija, në natën e 6 gushtit të këtij viti, rreth orës 23:20 minuta.
Çifti, qe disa javë kishin pasur probleme me njëri-tjetrin, anipse nga Zvicra kishin ardhur për pushime në Kosovë.
Situata ishte tensionuar në natën e së martës. Atë natë sipas palës mbrojtëse të të dyshuarit për vrasje, Bajram Velijajt, çifti kishin pasur një diskutim mes vete. Në vazhdën e diskutimeve, tashmë e ndjera Armenda, vendos që të dal nga shtëpia e saj. Rrugës për në taksi ajo ndiqet nga tashmë i dyshuari për vrasje, burri i saj Bajrami, dhe pastaj goditet me armë zjarri disa herë.
Por, për gjithë këtë ngjarje të rëndë, i penduar po shprehet të jetë, ai i cili dyshohet se kreu krimin-pra Bajram Velija 61-vjeçar. Ai e ka pranuar para avokatit të tij, Orhan Rekathatit se e ka pranuar veprën për të cilën ka thënë se ndihet i penduar.
“Ai e pranoi që e ka kryer vrasjen. Do të vazhdojnë hetimet ma tutje. Ai (Bajram Velija), deklaroi se gjithçka ka ndodhur aty për aty. Nuk kanë pasur diçka konflikte bashkëshortore. Nuk ka pas ndonjë motiv për hakmarrje ose diçka tjetër. Me moral ajo ka qenë në çdo pikëpamje mirë, nuk ka tradhtua. Vetëm pakënaqësi bashkëshortore”, thotë avokati.
Pala mbrojtëse deklaron se klienti i tij i ka thënë se asnjëherë nuk kishte ushtruar dhunë mbi gruan e tij tashmë të ndjerë dhe se fjalosja kishte qenë momentale.
“Gjendja emocionale e tij është shumë e rëndë. Sipas klientit, ata mirë kanë kalu, mirëpo kohëve të fundit kishin pasur disa fjalosje. Klienti ka deklaruar se asnjëherë nuk ka përdorur dhunë fizike”, thotë pala mbrojtëse
Avokati Orhan Rekathati, tutje shpjegon edhe për natën kritike që bëri që një grua të vdes nga plumbat e shkrepur nga burri i saj.
“Në natën kritike ata kanë qenë në shtëpi. Aty janë fjalos. Ky ka qenë i sëmurë pak nga diabeti, astma. Ky ka qenë në gjumë, edhe pastaj janë fjalos. Ajo ka dal me shku në Prishtinë, tek vajza e saj. Dhe në rrugë mandej, eja kthehu i ka thënë. E për të tjerat thotë se nuk i kujtohet se si kanë ndodhur. Ai është penduar për rastin. Ka thënë se nuk kanë pasur probleme bashkëshortore. Gjithçka ka ndodhë shumë shpejtë”, thotë për Express avokati Orhan Rekathati.
Ndërkohë i pandehuri, Bajram Velija në seancën e mbajtur ka deklaruar se të gjitha veprimet i ka ndërmarrë në një moment që nuk e ka ditur se si ka ndodhur, ndërsa armën të cilën e ka pasur me vete në natën kritike, ka deklaruar se e ka mbajtur me vete here pas here për shkak të problemeve me fqinjë.
Në një deklaratë për Gazetën Express, Prokurorja e rastit, Ervehe Gashi, tha se janë duke mbledhur prova rreth këtij rasti dhe se motivet ende nuk dihet.
Sipas saj, autopsia në trupin e viktimës tashmë ka përfunduar dhe se rezultatet pritet që t’i marrin së shpejti.
“Jemi në fazën e hetimeve. Po i grumbullojmë provat. Ne kërkuam një muaj paraburgim. Kemi inçizime. Po presim edhe që t’i intervistojmë familjarët”, ka deklaruar prokurorja për Express.
Ndërkaq, Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Krimeve të Rënda duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji ndaj të pandehurit me iniciale B.V. nga Prizreni, që vrau gruan e tij Armenda Aliun.