02-12-2024

“Infrakos” kërkon ndalimin e shfrytëzimit të pronës së saj nga ndërtuesi i lartë, në zonën e hekurudhës në Prizren

 E autorizuara e “Infrakos”, Flora Çekaj, sot, gjatë seancës gjyqësore të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prizren, ka kërkuar që gjykata të marrë vendim me të cilin do të detyrojë kompaninë e ndërtimit “Fat Group” me pronar Nexhmedin Fetoshin, që të largojë rrethojën dhe një ventil të ujit të vendosur në pronë të saj.

Çekaj, gjatë kësaj seance gjyqësore, ka deklaruar se nga skica e vendit të ngjarjes të përpiluar nga eksperti i gjeodezisë vërehet se në pronën e “Infrakos” është vendosur një ventil uji dhe po ashtu ka potencuar se leja për ndërtim e dhënë nga Komuna e Prizrenit dhe ndërtimi i objektit banesor, janë në kundërshtim me Ligjin mbi Hekurudhat e Kosovës.

Në anën tjetër, i autorizuari i të paditurës, avokati Fitim Shporta, ka deklaruar se ndërtimi i objektit banesor dhe afarist është kryer në pronën ku pronar është i padituri dhe se në asnjë mënyrë nuk është prekur prona e paditëses, ndërsa ka propozuar të ftohet eksperti i gjeodezisë për të sqaruar ekspertizën pasi që sipas tij, ka paqartësi.

Gjyqtari i rastit, Arsim Hamzaj, pas deklarimeve të palëve ndërgjyqëse, ka aprovuar propozimin për thirrjen e ekspertit të gjeodezisë për të elaboruar ekspertizën dhe për të sqaruar paqartësitë.

Seanca e radhës në këtë çështje kontestimore, do të mbahet më 4 shtator 2018, duke filluar prej orës 10:00.

Ndryshe, ky rast zhvillohet në bazë të padisë së ushtruar nga “Infrakos” kundër të paditurit Nexhmedin Fetoshi, me të cilën kërkojnë që gjykata ta obligojë të njëjtin që të lirojë pronën e paditëses të cilën e shfrytëzon për punë ndërtimore.

Me anë të kësaj padie, “Infrakos” kërkon që i padituri të obligohet për të ndërprerë të gjitha punimet ndërtimore në afërsi të binarëve hekurudhor dhe të kthejë pronën e hekurudhës në gjendjen e mëparshme duke larguar rrethojën dhe duke mbyllur një pusetë të ujit të hapur në afërsi të binarëve hekurudhor.

Në këtë rast, gjykata, sipas kërkesës së paditëses, ka lëshuar një masë të përkohshme të sigurisë, me të cilën i padituri është i obliguar të largojë rrethojat e vendosura në pronën e paditëses, deri sa nuk vendoset në mënyrë meritore rreth padisë së paditëses.

Në padi thuhet se ndërhyrje të tilla në shtratin e hekurudhës po e rrezikon investimin e premtuar të Bashkimit Evropian për të rivitalizuar linjën hekurudhore Prizren-Xërxë-Klinë./betimiperdrejtesi/

Asnjë koment

Comments are closed.